Bushati: Qasje më aktive ndaj shqetësimeve të shqiptarëve të Preshevës

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, priti sot në një takim përfaqësuesit politikë, lokalë dhe të shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës. Në këtë takim të parë gjithëpërfshirës u trajtuan problematikat e përditshme, me të cilat përballet popullsia shqiptare e Luginës së Preshevës dhe zhvillimet e fundit politike në Serbi dhe në rajon.Ministri Bushati pasi njohu pjesëmarrësit me prioritetet e politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, rikonfirmoi qëndrimin e Qeverisë për një qasje më aktive dhe më pranë shqetësimeve të shqiptareve të Luginës, në përputhje me aktet dhe parimet ndërkombëtare të gjithë pranuar .“Kohezioni i faktorit politik dhe shoqëror shqiptar i artikuluar nëpërmjet një platforme përbashkuese të qëndrimeve konkrete, përbën një interes jetik për Shqiptarët e Preshevës”,- u shpreh Ministri Bushati.Diskutimet u përqendruan në nevojën për maksimizimin e përfaqësimit institucional të shqiptarëve, përfshirjen më të plotë në jetën ekonomike dhe sociale, sikundër pasqyrimin më realist të situatës në Luginën e Preshevës, pranë institucioneve ndërkombëtare.Ministri Bushati, gjithashtu i informoi pjesëmarrësit mbi mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, në 11 Janar 2014 në Prizren, si dhe mbi rëndësinë e marrëveshjeve të arritura, përfshirë këtu financimin për maternitetin e Preshevës dhe krijimin e fondit zhvillimor.Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës uruan Ministrin Bushati për detyrën dhe përgëzuan Qeverinë Shqiptare për vëmendjen konstruktive dhe angazhimin për trajtimin e kërkesave të Shqiptarëve të Luginës.Në mbyllje të takimit, bashkëbiseduesit ndanë qëndrime të njëjta lidhur me nevojën e intensifikimit të kontakteve në të ardhmen dhe për konkretizimin e hapave që synojnë jetësimin e angazhimeve të marra.