Mungesa e teksteve për minoritetin, Tavo: Interpelancë me ministren Nikolla

Deputeti i LSI-së Vangjel Tavo ka kërkuar interpelancë me ministren e arsimit Lindita Nikolla për çështjen e mungesës së teksteve shkollore në gjuhën amtare në shkollat e minoritetit grek.Në një konferencë për shtyp nga kryesia e Kuvendit, Tavo theksoi se ky është një shqetësim për të gjithë prindërit e këtij komuniteti që edhe pse në mënyrë të vazhdueshme kanë kërkuar zgjidhjen e këtij problemi qeverisë së mëparshme problemi nuk ka gjetur ende zgjidhje dhe fatkeqësisht po vazhdon e njëjta situatë."Nga 2680 tekste që nevojiten për arsimin e detyrueshëm  kanë ardhur vetëm 367 prej tyre, pra 13.6 përqind ndërsa për arsimin e mesëm nga 35 tituj që nevojiten nuk ka ardhur akoma asnjë prej tyre. Janë 1010 nxënës prej të cilëve 200 me arsimin e mesëm të cilët në mungesë të teksteve detyrohen t`i marrin mësimet me shënime, çka të kujton mësimdhënien e disa dekadave të mëparshme. Ky problem bëhet edhe më i madh duke mbajtur parasysh gjendjen infrastrukturore si dhe mungesën e bazë materiale të zhvillimit normal të mësimdhënies në shkollat Frashtan, Jorgucat, Bularat , Finiq, Mesopotam e Livadhja” tha Tavo.Sipas Vangjel Tavos, kjo situatë problematike e trashëguar nuk ndikon aspak në qllimin madhor të vendit tonë, të integrimit të këtij komuniteti në shoqërinë shqiptare por edhe të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian si objektivi më madhor i koalicionit për Shqipërinë Europiane."Si përfaqësues i këtij komuniteti, dhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ndiej për detyrim që të kërkoj këtë interpelancë për t’ i kërkuar qeverisë të marr masa për zgjidhjen sa më shpejt të këtij problemi të rëndësishëm dhe shumë sensitiv" përfundoi Tavo.