Fullani: Zgjedhjet rënduan ekonominë, 2014 do të jetë viti i kthesës

Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara gjatë 2013-ës rënduan ekonominë e vendit . Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në daljen e tij të parë për këtë vit ka analizuar se gjatë vitit që u mbyll borxhi publik pësoi një rritje të konsiderueshme, duke penguar ecurinë ekonomike. Sipas Fullanit rritje pësoi defiçiti si dhe shpenzimet .Duke u nisur nga këta tregues, Kreu i Bankës Qendrore kërkoi që të merren masa dhe të vendoset një rregull fiskal.“Viti 2013 ishte një vit i vështirë për ekonominë shqiptare. Kërkesa agregate dhe rritja ekonomike mbetën në nivele të ulëta, inflacioni u luhat në kufijtë e poshtëm të tolerancës së Bankës së Shqipërisë, ndërsa deficiti buxhetor e borxhi publik shënuan rritje të ndjeshme. Kjo ecuri u kushtëzua nga një ambient ekonomik i pafavorshëm, si në kontekstin e brendshëm ashtu dhe në atë të jashtëm. Për më tepër, zgjedhjet e përgjithshme të muajit qershor paraqitën një moment shtesë pasigurie për ekonominë dhe për tregjet financiare. Sikurse kemi deklaruar, konsumi dhe investimet vazhdojnë të vuajnë nga shkalla e ulët e besimit si dhe nga kushtet e shtrënguara të financimit. Po ashtu, politika fiskale përballet me një nivel të lartë borxhi publik, i cili ka kufizuar mundësitë e saj për stimul makroekonomik. Nga ana tjetër, ambienti i jashtëm është karakterizuar nga vazhdimi i problemeve në Eurozonë, çka kufizon rritjen e eksporteve tona por edhe iu imponon tregjeve financiare ndjekjen e politikave konservatore të kreditimit ndaj vendeve në zhvillim. Inflacioni mesatar vjetor rezultoi 1.5% në tremujorin e katërt të vitit, duke qëndruar i pandryshuar në krahasim me tremujorin e tretë. Norma e inflacionit u rri në 1.9% në muajin dhjetor. Ecuria e tij u përcaktua pothuajse tërësisht nga çmimet e produkteve ushqimore, e në veçanti të atyre të papërpunuar. Çmimet e grupeve të tjera të shportës kanë qenë përgjithësisht të qëndrueshme dhe ndikimi i tyre në inflacion ka qenë i ulët.Zhvillimet fiskale të vitit 2013 kanë përkeqësuar dinamikën e borxhit publik. Ky borxh tenton të rritet gjatë periudhave të ngadalësimit ekonomik, në përgjigje të politikave kundër-ciklike fiskale por edhe të veprimit të stabilizatorëve automatikë. Megjithatë, duke u nisur nga roli parësor që ka qëndrueshmëria fiskale për stabilitetin e përgjithshëm ekonomik e financiar të vendit si dhe nga niveli i lartë i borxhit publik në vend, Banka e Shqipërisë ka kërkuar dhe mbështetur marrjen e masave për kontrollin dhe reduktimin e këtij borxhi në një periudhë afatmesme. Në këtë kontekst, ne përsërisim edhe një herë mesazhin tonë për nevojën e ankorimit të këtij procesi në një rregull fiskal, i cili do të orientojë politikën fiskale në një horizont afatgjatë dhe do të jetë i besueshëm dhe transparent për të gjithë agjentët ekonomikë, të brendshëm e të jashtëm”tha Fullani.2014 do të jetë një pikë kthese për ekonominë e vendit tonë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë me nota optimiste deklaroi se pritshmëritë për këtë vit në aspektin ekonomik janë më pozitive.“Banka e Shqipërisë gjykon se viti 2014 duhet të jetë një pikë kthese për ekonominë shqiptare. Ruajtja e stabilitetit ekonomik e financiar, përmirësimi i ambientit të jashtëm, ndjekja e politikave stimuluese makroekonomike, si dhe vazhdimi i reformave strukturore, duhet t’i hapin rrugë zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit” u shpreh ai.Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, duke e lënë në nivelin prej 3 përqind.“Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.0%. Duke gjykuar mbi zhvillimet e pritura në inflacion, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare do të mbetet në kahun stimulues përgjatë një periudhe afatmesme. Intensiteti i stimulit monetar mund të forcohet edhe më tej në periudhën e ardhshme, në rast se zhvillimet ekonomike e monetare vazhdojnë të zhvendosin balancën e rreziqeve mbi inflacionin në kahun e poshtëm. Në çdo rast, Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur të garantojë stabilitetin e çmimeve, në përputhje me objektivin e saj të inflacionit” përfundoi Fullani.