Zgjedhjet zhvatën xhepat e shqiptarëve, kreu i KLSH: Janë katërfishuar abuzimet me fondet
Duke qenë një vit elektoral, shteti shqiptar nuk e ka kursyer veten duke i katërfishuar abuzimet me paratë e popullit. Sipas raportit të prezantuar nga kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, janë 108 milion euro të shpenzuara, dyfishi i dëmit të konstatuar në tre vite bashkë.
“Nga auditimet e ushtruara përgjatë vitit 2013, KLSH ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare të vlerësuara si dëm ekonomik në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera, në nivelin 15.1 miliardë lekë, duke kërkuar shpërblimin e demit. Dëmi ekonomik për 2 vitet 2012-2013 është afërsisht 2 herë më i madh se në periudhën 2009-2012. Pjesa më e madhe e dëmit të zbuluar, është nga shitja e pasurisë dhe dhënia me qera e pasurive publike me koncension. Krahas zbulimeve me dëm ekonomik KLSH ka konstatuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituar, në nivelin e 4.4 miliardë lekëve ose 2.5 miliardë lekë më shumë se në vitin 2012. Nga analiza e të dhënave në vitin 2013 KLSH, ka rekomanduar më shumë përmirësime ligjore se sa masa organizative, duke qënë se impakti i një përmirësimi ligjor është më i prekshëm. KLSH ka propozuar disa ndryshime të rëndësishme kushtetuese e ligjore, u shpreh Leskaj, “Së pari ka kërkuar vendosjen e kufirit të borxhit publik në Kushtetutë, propozim ky i bërë nga ana e KLSH-së prej 2 vitesh rresht, duke rekomanduar që ministria e Financave të ngrejë një grup pune me ekspertët më të mirë të fushës për përgatitjen e paraqitjen e një nisme ligjore për fiksmin në Kushtetutë të treguesit të borxhit publik në raport me GDP-në. Së dyti, nga auditimi i performancës për ndarjen administrative të kryer në muajin shkurt- tetor 2013, KLSH ka rekomanduar ndërhyrjen në ligjin për pushtetin vendor, për reduktimin e ndjeshëm të numrit të bashkive e komunave, për një shërbim më cilësor ndaj komunitetit. Por kjo në respekt maksimal, jo vetëm të konsensusit politik të partive, por edhe atij social, kulturor e historik të zonave të ndryshme të vendit, sipas kërkesave të Kushtetutës”, deklaroi Leskaj.Shumica e rasteve të konstatuara të abuzimit janë në duart e Prokurorisë, sipas së cilës korrupsioni është në të gjithë nivelet e administratës.
“Nga materialet që ka përcjellë Kontrolli i Lartë i Shtetit në Prokurori vërehet një rritje sasiore dhe cilësore e kallëzimeve penale. Po ashtu, është për t’u vlerësuar fakti që në kallëzime përfshihen edhe zyrtarë të niveleve të larta. Raste të shumta që janë dorëzuar në prokurori nga ana juaj gjatë vitit të kaluar, tashmë kanë shkuar në gjykatë ose janë në përfundim të hetimeve. Po ashtu, në të gjitha rastet, Prokuroria ka kërkuar masën e pezullimit nga detyra për zyrtarët ndaj të cilëve është regjistruar procedimi penal. Po ashtu, Prokuroria e Përgjithshme ka qenë e ndejshme ndaj rasteve të referuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Një numër i madh çështjesh, të pushuara nga prokuroritë e rretheve gjyqësore para vitit 2013, janë shfuqizuar dhe është kërkuar rihetimi i tyre. Për disa prej tyre, gjykata ka shpallur dënimet” tha Llalla.Gjithashtu Llalla theksoi se Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të konsiderohet si garë mes institucioneve apo si kalim i përgjegjësisë tek njëri-tjetri.“Natyrisht, organi i prokurorisë ka rolin e tij kryesor në ngritjen e akuzës. Por edhe institucionet publike që referojnë raste në prokurori, nuk duhet ta konsiderojnë rolin e tyre të përfunduar në momentin e dorëzimit të kallëzimit. Institucionet duhet të jenë solidarë deri në dhënien e dënimit nga gjykata. Kjo është fryma e Njësive të Përbashkëta Hetimore. Duhet të theksoj se kjo frymë po forcohet gjithnjë e më shumë. Kontrolli i Lartë i Shtetit po dëshmon se kjo frymë duhet mbajtur lart. Po ashtu, edhe institucione të tjera po angazhohen gjithnjë e më shumë për referime në organin e prokurorisë. Besoj se ky është drejtimi i duhur. Pikërisht,.ai që kërkon edhe opinioni publik nga institucionet shqiptare” tha Llalla.Në këndvështrimin e Kreut të Shtetit zgjidhja është në bashkëpunimin e institucioneve ligjore.
“Bashkëpunimi është i rëndësishëm mes institucioneve, vetë subjektet e audituara dhe Kuvendit të Shqipërisë për ta bërë mekanizmin më perfekt. Sa më shumë të bashkëpunoni me Prokurorinë për ta bërë mekanizmin fuksional në mënyrë që të ecet sa më shpejt drejt zbatimit të ligjit dhe ndëshkueshmërisë. Sa më shumë të bashkëpunoni me Kuvendin aq më shumë do të përforcohet mekanizmi. Do të desha ta shoh karakterin e punës së një audituesi të dominuar nga kurioziteti dhe kurajo. Duhet auditim sa më i thellë që të jetë i mundur për një çështje. Gjetje të reja dhe vendosjes përballë elaburimit të hapësirës ligjore. Duke prevaluar kuriozitet ligjor jam i bindur se mund të shkohet më tej tek problematikat që hasen” tha Nishani.KLSH kërkoi që të miratohen sa më parë disa ndryshime ligjore, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e punës së këtij institucioni.