Shtyhet ankimimi i PD për buxhetin, Halimi: Qeveria refuzoi të përballej
Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për në 11 shkurt shqyrtimin e ankimimit të Partisë Demokratike për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të Aktit Normativ nr. 6, datë 04.10.2013 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2013 “Për buxhetin e vitit 2013”.Shtyrja e seancës u bë pasi mungonin përfaqësuesit e qeverisë. Deputeti demokrat Eduard Halimi theksoi se qeveria refuzoi të përballej me qytetarët dhe gjykatën“Sot ishte parashikuar të zhvillohej seanca gjyqësore për shpalljen si anti-kushtetues të aktit normativ i cili rriti borxhin në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Por edhe pse Këshilli i Ministrave kishte dijeni rregullisht siç u konstatua nga Gjykata Kushtetuese nuk paraqiti asnjë shkak të arsyeshëm të mosparaqitjes së tyre në seancë para Gjykatës, mungoi dhe refuzoi të përballej para qytetarëve, refuzoi të përballej përpara gjykatës kushtetuese me këtë akt të paprecedentë dhe skandaloz. Ky është akti më skandaloz ku këshilli i ministrave injoron gjykatën , injoron përballjen me qytetarët edhe pse ndodhet vetëm pak metra nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është qeveria e skandaleve që po na bën vendin dhe po e shndërron Shqipërinë gaz në sytë e botës” tha Halimi.Në kërkesën e saj, 1/5-ta e deputetëve të PD-së thekson se Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se qeveria është e detyruar të shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe urgjencën konkrete që e kanë detyruar të nxjerrë aktin normativ me fuqinë e ligjit.“Ky detyrim ka karakter formal dhe substancial. Shpjegimin, qeveria është e detyruar ta pasqyrojë në përmbajtjen e çdo akti normativ me fuqinë e ligjit që nxjerr, minimalisht në preambulën e tij. Nga analiza e aktit normativ nr. 6/2013, rezulton që qeveria të mos ketë evidentuar përmbushjen e kushteve të “nevojës” dhe “urgjencës” për miratimin e këtij akti. Në preambulën e aktit normativ nuk evidentohet asnjë rrethanë që të përligjë ushtrimin e këtij funksioni ligjvënës nga ana e pushtetit ekzekutiv. Për këtë arsye, në kushtet e mungesës së “nevojës” dhe “urgjencës”, akti normativ nr. 6/2013 bie ndesh me nenin 101 të Kushtetutës” thuhet në ankimimin e PD-së.Nderkohe neser Gjykata Kushtetuese do te diskutoje ankesen e PD dhe mbi aktin normativ qe unifikon komompetencat e INUK.