Betohen 16 magjistratët e dekretuar nga Nishani, Çefa: Jini të drejtë e transparent

Në mjediset e Këshillit të Lartë të Drejtësisë u zhvillua ceremonia e betimit të 16 magjistratëve të dekretuar nga Presidenti i Republikës në detyrën e gjyqtarit, pas propozimit të bërë nga vetë KLD. Zëvendëskryetari i KLD-së, Elvis Çefa, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se gjyqtarët e rinj duhet të jenë shembull për sistemin e drejtësisë.Ndërsa i kujtoi se nga dita e dekretimit ata janë me të gjitha efektet gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë, Çefa shprehu bindjen se gjyqtarët e rinj do ta justifikojnë plotësisht besimin e dhënë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë duke dhënë kontributin e tyre në futjen e një fryme të re në sistem. Zëvendëskryetari i KLD-së, vuri theksin tek gatishmëria e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për t’i mbështetur pa rezerva ata dhe të gjithë trupën gjyqësore në përgjithësi.“Këshilli ka besim tek Ju! Kontributi juaj në ato gjykata ku jeni caktuar të ushtroni detyrën konsiderohet i cmuar! Me punën Tuaj Ju duhet ta justifikoni denjësisht atë. Me punën Tuaj Ju duhet të nderoni pikësëpari Shkollën e Magjistraturës, ku u formuat si gjyqtarë për tre vite radhazi. Detyra Juaj kryesore është që të kontribuoni fuqimisht të rritjen e përceptimit të publikut tek një gjyqësor i drejtë dhe transparent”- theksoi ndër të tjera Zëvendëskryetari i KLD-së.Pas leximit të formulës së betimit: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do të respektoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ligjet në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale. Betohem”, në praninë e të gjithë anëtarëve të KLD-së dhe të të ftuarve në këtë ceremoni, gjyqtarët më të rinj të sistemit u betuan sipas procedurës ligjore.