“SHISH, skandali”, Qefalia: E rëndë nëse vërtetohet, jo reformë të njëanshme në drejtësi
Ndërsa ka kaluar një javë, që kur emisioni “Alarm” në saj të një investigimi të tij denoncoi skandalin e emërimeve në kupolën drejtuese të SHISH, në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare ende nuk ka një datë për seancën dëgjimore me kreun e SHISH Visho Ajazi Lika. Xhemal Qefalia, deputet i PS në këtë komision dhe iniciator i kërkesës për raportim të kreut të SHISH, tha në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News se kryetari i Komisionit po ndjek të gjitha procedurat ligjore për të mundësuar raportimin nga zoti. Lika.“Falenderoj televizionin tuaj, i cili inicioi ne emisionin “Alarm” për disa shkelje flagrante që po ndodhin në SHISH. Për aq kohë sa janë të paverifikuara s’mund të themi që janë shkelje reale. Nisur nga Kushtetuta, por dhe rregullorja e parlamentit si anëtar i komisionit të sigurisë kam adresuar pranë këtij komisoni kërkesën për tu bërë prezent nga kryetari i SHISH të gjitha shkeljet e konstatuara. Shpresoj që shkeljet të mos jenë të vërteta, pasi nëse do jenë, veprimtaria e këtij shërbimi do rrezikonte seriozisht, që cënon në terësi dhe sigurinë kombëtare. Vendosja e njerëzve jo profesionistë, të politizuar do krijonte situatë e cila do ndikonte në uljen e rezultateve të pritshme të këtij shërbimi. Pasi është shërbim shumë delikat, është jashtë dhe larg monitorimit të qytetarëve të thjeshtë, për vetë natyrën është shërbim i fshehtë, kështu që abuzimi me veprime të kësaj natyre do të cënonte dhe dëmtonte dukshëm edhe liritë dhe të drejtat e njeriut. Momentalisht jam informuar nga kryetari i Komisionit që po ndiqet e gjithë proçedura dhe e gjithë rregullsia për ta ftuar kreun e SHISH për të raportuar pranë këtij Komisioni. Ende nuk është përcaktuar data dhe koha” tha ai.Lidhur me përkeqësimin e situatës së rendit dhe sigurisë në vend, Qefalia shkaqet i gjen tek këta faktorë:“Është pasojë e qeverisjes së kaluar, mostoleranca dhe vendosja e një tolerance zero ndaj krimit ka bërë që këta individë të shfaqen dhe të përballen drejtëpërdrejtë me policinë. Krimi nuk ka ngjyrë, duhet luftuar. Anëtarët e komisonit të sigurisë si nga opozita dhe mazhoranca duhet të jenë bashkë, në mbështetje të policisë. Siguria dhe lufta ndaj krimit nuk është vetëm pjesa e policisë në zbardhjen apo në ndjekjen është një sistem, është çështje e mosrakordimit si duhet të sistemit në terësi, sistemit të drejtësisë, SHISH. Ka një hendek, ka qenë i dukshëm edhe në qeverinë e kaluar. Kemi raste që janë evidentuar nga policia dhe janë liruar nga gjyqësori. Është një hallkë e madhe që ndikon në përmirësimin dhe rritjen e sigurisë në vend. Gërshetimi i këtyre elementëve do bëjë të mundur që lufta ndaj krimit të jetë luftë frontale, të mos krijojë skuta dhe mbështetje nganjëri krah politik apo tjetri. Ndjehem i zhgënjyer nga opozita që evidenton si arritje ngjarjet kriminale. Mazhoranca ka të gjithë vullnetin për të bashkëpunuar, për të pregatitur pse jo dhe kuadrin ligjor të nevojshëm për të pasur mundësinë që lufta ndaj krimit të zhvillohet që në embrion”.Në përgjigje të pretendimit të opozitës se kjo situatë është pasojë e masakrës që mazhoranca bëri me kupolën e policisë së shtetit, deputeti socialist shprehet se janë shkarkuar vetëm individë të politizuar që ishin në shërbim të detyrave të partisë. Por nga ana tjetër, Qefalia parashton domosdoshëmrinë e forcimit të kuadrit ligjor për të luaftuar krimin që në embrion.“Nëse do marrim të vërtetë këtë ide do krijohej përshtypja sikur këta individë kishin mbetur të strukur dhe kishin frikë policinë, ku dolën, ku e patën mbështetjen? Ndoshta deri diku jam dakord që individë të veçantë profesionist janë në krye të detyrave, por s’mund të lejonim individë të politizuar në Drejtori të caktuara në qarqe të ndryshme që kryenin më shumë misione partie. Ndoshta duhet parë dhe pregatitja e një kuadri ligjor gjithpërfshirës, ku lufta ndaj krimit të jetë e pandalshme. Nuk mendoj që është arsyeja e lëvizjes apo heqjes, të gjitha lëvizjet apo heqjet dihet tashmë që edhe Drejtorët e policisë nuk është se i hoqi Drejtori aktual, i hoqi ish-drejtori që komandonte dhe kryente funksionet në qeverisjen e kaluar. Megjithatë qyqetarët e ndiejnë prezencën e policisë, gjenden kudo. Por nuk duhet të jetë nocioni që polici zgjidh gjithçka. Oficerët dhe punonjësit e policisë duhet të jenë njerëz që të jenë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët. Shtrirja e strukturave të plotëfuqishëm në lagje, zona, janë të nevojshme. Por këto krime të krijojnë përshtypjen sikur disa individë kanë një farë suporti, në qeverisjen e mëparshme nuk besoj të ketë pasur tentativë për të hedhur shtylla tensioni në erë. Pretendimet e opozitës janë nonsens, nuk mundet mazhoranca të krijojë ngjarje të tilla, opozita e sotme mundet të distancohet madje të dalë në krah të policisë që vazhdimisht përballen me krimin. Ngjarja e mbrëmshme është shumë e dhimbshme. Akoma qarkullojë armë të ’97-ës, komisioni i sigurisë duhet të jetë solidar në luftën ndaj krimit” u shpreh Qefalia.Sikundër Ministri Tahiri, edhe Qefalia është i mendimit se numrat celularë pa një pronar të individualizuar përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare,rendin publik dhe jetën e qytetarëve.“Si anëtar i Komisionit të Sigurisë do të mendoja që fenomene të kësaj natyre tregojnë se jo gjithçka është e kontrolluar pasi dinamiti përdoret nëpër miniera, gurore madje edhe për të gjuajtur peshq nga njerëz të papërgjegjshëm. Mosevidentimi dhe mospasja e statistikave të sakta të këtyre njerëzve, krijon mundësinë për këta njerëz për ta shpërbërë dhe për ta dhënë më lehtësisht. Edhe Ministri ngriti sot një cështje jo pak të rëndësishme, për shitjen e kartave celulare në mënyrë të pakontrolluar. Ato mund ti ketë marrë një individ, por në kompani janë të regjistruara, duhet të bllokohen aty ku nuk kanë përgjegjësit, pasi sjellin vështirësi në hetime. Hartimi dhe normimi i disa akteve ligjore do bënte të mundur që shumë gjëra të sanksionohen, për një zbulueshmëri më të madhe të krimit” theksoi ai.Duke kërkuar zbatim të ligjeve ekzistuese, deputeti Xhemal Qefalia nuk përjashton edhe mundësinë për rishikim të tyre. Në mënyrë të vëçantë në drejtësi, ku deputeti socialist thekson se nevojiten reforma të cilat duhet të jene produkt i bashkëpunimit mazhorancë-opozitë, për të mos krijuar hendeqe.“Absolutisht që duhen riparë, por unë vazhdoj të insistoj që nuk është faji i ligjeve. Tek ne vazhdon të jetë problem moszbatueshmëria e tyre. Reforma në drejtësi është e domsdoshme dhe duhet të bëhet bashkarisht me opozitën. Nuk mund të jetë një reformë e njëanshme, pasi pikërisht këtu krijohet dhe hendeku, krimi nuk zgjedh, krye veprën e tij dhe sjell pasoja të mëdha. Duhet të ketë gjithëpërfshirje dhe në fund fare janë deputetët që dueht ta ndiejnë si domosdoshmëri për të qenë konkret në marrjen e masave dhe hartimin e akteve ligjore të domosdoshme për ti zbatuar dhe ndjekur me qëllim që krimi të mos krijojë mbështetje dhe suporte edhe të pashprehuara. Brenda një kohe relativisht të shkurtër, ndoshta edhe duhet përshpejtuar ritmi, ne do ndjejmë se këtu është vendosur shteti ligjor dhe premtimi që ka bërë PS që brenda 300 ditëve do kemi shtetin ligjor dhe një polici të shtetit të pavarur dhe të papolitizuar do jetë konkret dhe qytetarët do ta prekin këtë” përfundoi Qefalia.