Siria nuk është lufta e shqiptarëve të Kosovës

Populli sirian po lufton dy armiq: Assadin dhe “Al Qaedan”. “Al Qaeda” po i shfrytëzon krimet e Assadit ndaj popullatës për të manipuluar dhe rekrutuar luftëtarë nga e gjithë bota në luftën e saj për pushtet në këtë vend me shumicë myslimane. Opozita siriane nuk po lufton për ndërrim diktatorësh, por për çlirim nga regjimet shtypëse. E përkrahja perëndimore i është kushtëzuar me spastrimin e rrymave terroriste që përbëjnë rrezik global. Por “Al Qaeda” ka rreshtuar krah vetes mijëra luftëtarë të huaj, sipas raportimeve, pjesa më e madhe nga Evropa.Zyrtarët e BE-së e shohin këtë si rrezik, derisa kanë alarmuar për numrin në rritje të luftëtarëve që shkojnë dhe kthehen nga Siria. Gjermania, Franca dhe Britania kanë shprehur shqetësimin për qytetarët që po u bashkohen grupeve terroriste, ndërsa mediat britanike kanë raportuar se shtetasit britanikë që po luftojnë në Siri po trajnohen si “xhihadistë” dhe pastaj po inkurajohen të kthehen me qëllim që të kryejnë sulme në Britani.Edhe autoritetet kosovare u prononcuan publikisht për herë të parë qartë dhe gjerësisht në shtyp: kanë treguar për rrugën që marrin kosovarët që ia mësyjnë Sirisë, qëllimet, gjendjen e tyre ekonomike e nivelin arsimor. Ata, sipas autoriteteve kosovare, janë trajnuar dhe kanë zhvilluar përvojë ushtarake, janë predispozuar ndaj ideologjive të ndryshme ekstremiste islamike dhe celulave të organizatave të ndryshme terroriste. Kthimin e tyre në Kosovë, policia e konsideron kërcënim për sigurinë, prandaj u bën ftesë institucioneve, shoqërisë civile, mediave si dhe komuniteteve fetare që të jenë të vëmendshme në qasjen ndaj këtij rreziku.Varësisht nga burimet e informatave, numri i kosovarëve që kanë shkuar në Siri që nga nisja e luftës shkon prej 4 deri në 400. E sigurt është vetëm një gjë, se gjashtë kosovarë janë vrarë atje. Qendra ndërkombëtare për studim të radikalizmit e radhit Kosovën si të parën në rajon për nga numri i luftëtarëve. Sido që të jetë, e para apo e fundit, popullit të Kosova është e fundit që duhet të bëhet pjesë e luftës në Siri, qoftë edhe me vetëm një njeri. Kjo, jo veç për shkak të rrezikut që mund të importojë brenda, por për shkak të historisë dhe luftës që vetë e ka kaluar.Ndonëse dy mijë kilometra larg, populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë një të përbashkët. Të dy e kanë përjetuar ngritjen e ndjenjës dhe vullnetit për ta luftuar një regjim shtypës.Kosovarët duhet vetëm të kthehen 15 vjet pas e të mendojnë se si do të ishte nëse, përveç regjimit të Millosheviçit, do t’u duhej ta luftonin edhe një shtypës tjetër.“Al Qaeda” është fatkeqësia e Sirisë që Kosova e pati shmangur dhe tani është e tmerrshme të shohësh e të dëgjosh se si kosovarët angazhohen që sirianëve t’ua bëjnë jetën më të vështirë.Janë mbi 130 mijë sirianë të vrarë deri tani në luftën e Sirisë që ka 22 milionë banorë. Ishin 12 mijë shqiptarë të vrarë në luftën e Kosovës dymilionëshe. Proporcionalisht është numër i njëjtë. Edhe ne kemi shumë fotografi të fëmijëve të vrarë ose të mbijetuar e të trishtuar; edhe ne kemi fotografi të masakrave e torturave; edhe ne kemi fotografi të vendbanimeve të shkatërruara… Por lufta jonë ishte më e mirë. Nuk pati ndonjë “kosovar” që na i bëri vuajtjet më të mëdha e shpresat më të largëta.Megjithatë ishte një sfidë me të cilën Kosova e luftës nuk është që nuk u përball.Një prej sukseseve më të mëdha të UÇK-së që ndoshta atëherë nuk ia patëm ditur rëndësinë sa sot, është bllokimi i militantëve fetarë të cilëve Bosnja ua pati parë sherrin, e nga të cilët populli sirian po e vuan dyfishin.Kosova ia pati dalë që ta mbante luftën brenda dhe indoktrinimet fetare jashtë. Në librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Rrëfim prej brenda një kryengritje”, të botuar nga KOHA më 2008, udhëheqësit ushtarakë kanë treguar se si as në momentet kur kishin qenë shumë ngushtë, “ndihma” nga Irani e Arabia nuk kishte qenë opsion. “Serbia po i fërkonte duart, duke pritur inkuadrimin e fundamentalistëve në luftën në Kosovë”, është cituar njëri nga ta. Motivet dhe kujdesi që gjërat të mos dilnin jashtë kontrollit kanë qenë më të mëdha në kohë lufte.Paqja tregoi fytyrën tjetër të Kosovës. Atë të interesit personal, të humbjes së dinjitetit, të shpërfilljes së nevojave të popullit që denjësisht e përballoi luftën. Pesëmbëdhjetë vjet pas, Kosova mbetet vendi me varfërinë e papunësinë më të lartë në Evropë, pa sundim të ligjit e zhvillim ekonomik, me sistem të dështuar të arsimit e të shëndetësisë. Dështimin e ka pranuar ministri i Jashtëm i Kosovës javën e kaluar në “Kohën Ditore”, në përpjekje për të arsyetuar se pse kosovarët po u bashkohen grupeve të ekstremistëve fetarë në Siri. Tha që për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.Është përgjegjësi e kësaj dhe e qeverive të kaluara gjendja e pashpresë që ka shtyrë shumë kosovarë, kryesisht të rinj, që ta kërkojnë shpëtimin te e mbinatyrshmja, duke i bërë këta njerëz të ndjeshëm ndaj manipulimeve të grupeve terroriste që kanë shtrirë dorën për t’i kapur pikërisht ata.Derisa shteti të mos u ofrojë qytetarëve të vet jetë të dinjitetshme, e vetmja shpresë për t’i kthyer në realitet të rrezikuarit nga Siria është t’ua kthesh kujtimet e luftës në Kosovë – dhe idenë se sa më vështirë do ta kishim pasur po t’i luftonim dy palë armiq.*Autorja shkruan për gazetën kosovare Koha Ditore. /Burimi: mapo.al/