Tetë vjet nga vdekja e Ibrahim Rugovës
Sot shënohet 8-vjetori i ndarjes nga jeta të ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. I cilësuar si arkitekt i pavarësisë, Rugova kujtohet sot nga partia që themeloi, Lidhja Demokratike e Kosovës, partia që doli nga LDK, Lidhja Demokratike e Dardanisë si dhe parti, institucionet e personalitete të tjera.Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe te varri i ish-Presidentit, Ibrahim Rugova, ndërsa shtoi se nderon frymën dhe mesazhin e Rugovës për një Kosovë evropiane.“Erdhëm për ta nderuar veprën dhe punën e ish-presidentit Rugova” tha Haradinaj.Në përvjetorin e tetë, homazhe te varri i tij, bënë sot edhe Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, dhe drejtues të lartë të kësaj partie. Ata, gjithashtu do të vizitojnë familjen e Rugovës, dhe do të organizojnë një ceremoni përkujtimore për nder të veprës së tij.Në çdo përvjetor, varri i Rugovës, në lagjen ‘Velania’ në Prishtinë, është vendtakim për liderë dhe qytetarë që vlerësojnë veprën e tij.Ibrahim Rugova u nda nga jeta më 21 janar të vitit 2006, në moshën 61 vjeçare.