PD reagon për vrasjen në Tiranë: Konflikti nga grupeve të lidhura me pushtetin
Partia Demokratike ka denoncuar sërisht rritjen e kriminalitetit në vend. Duke ju referuar vrasjes së një dite më parë, deputeti i Partisë Demokratike, Helidon Bushati, tha në një deklaratë për mediat se vrasja bëhet edhe më e rëndë pasi në këtë konflikt përfshihen interesa ekonomike të grupeve të lidhura me pushtetin. Nga ana tjetër PD ka lëshuar akuza në drejtim të Ministrisë së Brendshme dhe policisë për fshehje të ngjarjeve kriminale.Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Helidon Bushati, mbi ngjarjet e rënda të ditëve të fundit:Mbrëmë një tjetër vrasje tronditi sigurinë publike në vend. Ngjarja bëhet edhe më e rëndë kur të dhëna të sigurta dëshmojnë për një konflikt ku përfshihen interesa ekonomike, të grupeve të lidhura me pushtetin.Partia Demokratike nuk mund të lejojë që vrasjet të bëhen një lajm i zakonshëm në këtë vend, ndaj ne denoncojmë edhe një herë rënien e autoritetetit të policisë dhe forcës së saj zbuluese, për shkak të largimit të profesionistëve e zëvendësimit të tyre me militantë të Partisë Socialiste.Rekordi i kriminalitetit po arrin kulmin, ndërkohë që drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe Ministri Tahiri po bëhen gjithnjë e më të famshëm për shfaqjen e tyre të përditshme në skenat e krimit. Pasiguria publike është rritur dhe maskat po shfaqen kudo. Kjo gjendje është një dështim i policisë së shtetit, dhe triumf i bandave mafioze si në rastin e dy ditëve më parë në mes të ditës në aksin kombëtar Durrës-Peqin.Situata e kriminalitetit nuk përmirësohet dot me analiza të cekëta, me mosraportimin e ngjarjeve, dhe me fshehjen e krimeve. Po ju bëjmë me dije se Ministri i Brendshëm dhe Drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk i përfshijnë në letrat e tyre rreth 40% të ngjarjeve të ndodhura. Partia Demokratike denoncoi dy ditë më parë faktin se Policia mbajti të fshehur një plagosje të rëndë të dyfishtë në një bar në autostradën Fushë-Krujë- Lezhë.Pak ditë më parë në Torovicë të Lezhës janë shfaqur maskat, dhe kanë grabitur një makinë me 10 milionë lekë. Kjo ngjarje nuk është raportuar nga policia.Mbrëmë, në Tiranë, tek zona e shinave të trenit, ka pasur një tentativë vrasjeje ndaj një punonjësi të Policisë së Tiranës. Edhe kjo ngjarje nuk është bërë publike nga policia.Partia Demokratike, i kërkon Policisë së Shtetit të refuzojë përdorimin partiak në manipulimin e të dhënave të kriminalitetit dhe të zbatojë ligjin.Partia Demokratike i bën thirrje Policisë së Shtetit të ushtrojë detyrën dhe përgjegjësitë e saj dhe të sigurojë rendin publik, e ti shërbejë qytetarëve, dhe jo interesave politike të Ministrit e Kryeministrit.