Taksat e reja, rritja është reflektuar vetëm te cigaret

Reflektohet vetëm në disa artikuj rritja e taksave për vitin 2014. Edhe pse ndryshimet në sistemin e taksave në vendin tonë kanë hyrë në fuqi që prej 1 janarit në disa artikuj çmimi vijon të jetë i njëjtë.Një ndryshim të ndjeshëm të taksave për pjesën më të madhe të qytetarëve do ta ketë çmimi i naftës dhe benzinës, por në pikat e tregëtimit të karburanteve, tabela e çmimit të një litër benzinë apo naftë ende nuk ka ndryshuar.Ajo vazhdon të jetë e njëjtë me atë para hyrjes në fuqi të taksës së re që do të aplikohej për karburantet dhe që parashikon një rritje prej 12 lekësh për litër.Edhe pse shpesh në Shqipëri abuzohet dhe rritja e çmimeve shpesh reflektohet edhe kur ligjet nuk kanë hyrë në fuqi këtë radhë ka ndodhur krejt e kundërta.Disa prej punonjësve të pikave të karburanteve në kryeqytet shprehen se ende nuk ka pasur rritje të çmimit të karburanteve, pasi kanë ende rezerva nga viti i kaluar. Sipas tyre çmimet priten të ndryshojnë pas disa ditësh.Po ashtu edhe çmimi i kafesë, pijeve alkoolike dhe pijeve energjike ende nuk ka ndryshuar. Rritja e taksave është reflektuar thuajse menjëherë në çmimin e cigareve.Të gjitha llojet e paketave që prej disa ditësh kushtojnë 20 deri në 30 lekë më shumë. Sipas ekspertëve rritja e çmimeve për disa artikuj bazë pritet që të ndikojë negativisht në konsum.