Grabitje me maska dhe armë, 3 persona marrin 2 mln lekë, dhunojnë tregtarin
Grabitjet me armë dhe maska po kthehen në ngjarje të ditës edhe këtë fillim viti. Paraditen e sotme në afërsi të Shkopetit në Burrel është grabitur dhe dhunuar drejtuesi i një furgoni, një tregëtar frutash dhe perimesh.Nga dëshmia e vetë të dhunuarit dhënë para autoriteteve të policisë lokale të Burrelit, mësohet se tre grabitësit të maskuar dhe të armatosur i kanë ndërprerë rrugën dhe nën kërcënimin e armëve i kanë kërkuar të ndalojë.Grabitësit i kanë marrë drejtuesit të mjetit shumën prej 2 mln lekësh të vjetra. Pavarësisht se kanë arritur qëllimin e tyre, duke i marrë lekët që dispononte tregëtari, tre autorët nuk janë mjaftuar me kaq por e kanë dhunuar atë duke e goditur me qytën e automatikut tik kallashnikov disa herë në kokë dhe trup.Personi që ra pre e grabitësve ka deklaruar në polici se nuk ka mundur të vërejë ndonjë shenjë që mund të çojë në identifikimin e autorëve për faktin se kanë qenë të armatosur, por mendohet se grabitësit janë të rinj të moshës 25-30 vjeç.Pas denoncimit në polici të të dëmtuarit, uniformat blu kanë nisur hetimet ndërsa forca të shumta të komisariatit të Burrelit kanë bllokuar segmentet kryesore rrugore.Ndërkohë që kërkimet janë shtrirë edhe në terrenin e thyer të zonës për të bërë të mundur arrestimin e grabitësve që thyen qetësinë e këtyre ditëve të para të vitit 2014, përsa i përket rendit dhe sigurisë.