Policia: Asnjë incident i rëndë. Nata e Vitit të Ri e qetë, masat vijojnë

Asnjë incident i rëndë, nuk është shënuar për sa i përket rendit e sigurisë dhe jetës së qytetarëve përgjatë festave të ndërrimit të viteve . Kështu deklaron policia e shtetit në një deklaratë për mediat, ku theksohet se "në sajë të masave që ishin hartuar nga Ministria e Brendshme u bë e mundur që nata e ndërrimit të viteve të kalonte e qetë dhe në siguri të plotë në të gjithë territorin e vendit, duke mos u shënuar asnjë incident i rëndë sa i përket rendit e sigurisë dhe jetës së qytetarëve".Sipas një njoftimi për shtyp , "shërbimet e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në kuadër të masave të posaçme të planifikuara për festat e fundvitit, për të garantuar rend e siguri maksimale për qytetarët në të gjithë territorin e vendit, si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve festive, në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë".Më tej bëhet e qartë se "Policia e Shtetit, vijon të jetë në shërbim të përforcuar, me synim garantimin e parametrave optimalë të sigurisë në të gjithë territorin e vendit në kuadër të festave të fundvitit, ndaj edhe gjatë ditëve në vijim do të vazhdojë me zbatimin e masave të posaçme me shërbim të përforcuar, me synim garantimin e rendit publik, sigurisë rrugore si dhe menaxhim profesional e të shpejtë të fluksit të lëvizjes në të gjithë pikat e kalimit kufitar, duke ofruar një shërbim policor me standarde të larta.