Urimi special i ambasadorit të BE, Ettore Sequi, kartolinë europiane për shqiptarët

Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi, ka siguruar sot se ekziston një atmosferë pozitive midis vendeve të Bashkimit Evropian për marrjen e statusit për Shqipërinë në muajt në vijim.Në një takim me presidentin Bujar Nishani, ambasadori Sequi theksoi se ky proces do të jetë i bazuar në meritë.Nga ana e tij, kreu i shtetit, u ndal në rëndësinë që sjell viti 2014 për Shqipërinë dhe shqiptarët në procesin e integrimit.Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria është një vend evropian, integrimi në familjen evropiane mbetet prioriteti strategjik i vendit dhe shprehu besimin se në periudhën në vijim politika dhe institucionet shqiptare do të vijojnë të punojnë në drejtimin e duhur për të merituar statusin e vendit kandidat përmes arritjes së standardeve të kërkuara, në bashkëpunim të ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë evropianë.Në këtë kuadër, Presidenti Nishani siguroi Ambasadorin Sequi për rolin pozitiv dhe në mbështetje të reformave të nevojshme që Presidenti i Republikës do të vijojë të luajë për këtë proces, duke theksuar se arritja e standardeve të kërkuara evropiane është baza e suksesit të këtij procesi.Në vijim, Kreu i Shtetit shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për mbështetjen dhe inkurajimin e vazhdueshëm që Ambasadori Sequi ka dhënë për Shqipërinë gjatë ushtrimit të mandatit të tij në vendin tonë.