Grabitje me armë në një qëndër tregëtare, 4 “Babagjyshë” vjedhin argjendarinë
Festat e fundvitit po përjetohen në mënyrën më të mirë jo vetëm nga fëmijët, por dhe hajdutët. Me një skenar filmi, kater persona të maskuar si Babagjyshi, por të armatosur, kanë kryer një grabitje spektakolare mbrëmjen e sotme në një qëndër tregëtare në periferi të Tiranës.
Burime nga policia bëjnë me dije se është grabitur një dyqan argjendarie në këtë qëndër, ndërsa grabitësit janë larguar menjëherë në drejtim të paditur me nje automjet, i cili eshte gjetur i braktisur ne flake ne afersi te Lundres.
“Në datë 24.12.2013, rreth orës 17.25, te Qendra Tregtare në Tiranë, në ambjentet e brendshme të saj, persona të paidentifikuar ende, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës një dyqan argjendarie, në pronësi të shtetasit A. Sh.. Autorët kanë marrë një sasi bizhuterish dhe janë larguar me një mjetit tip Benz. Pak minuta më vonë, autorët e kanë braktisur mjetin në rrugën e Surrelit dhe i vunë zjarrin.Pas marrjes së njoftimit, menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 dhe oficerë për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. U formua një Grupi i Posaçëm Hetimor për këtë ngjarje, i cili po kryen veprimet e para hetimore dhe proçeduriale. Janë duke u shoqëruar dhe pyetur persona që kanë dijeni për të zbadhur rrethana të ngjarjes. Ndërkohë paralelisht me veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, shërbimet e Policisë së Tiranës janë vënë në ndjekje të autorëve të kësaj vjedhje me armë. Në vendin ku ndodhi grabitja grupi i posaçëm po kryen gjithë veprimet proçeduriale, si kqyrja e vendit të ngjarjes, kqyrja e automjetit të djegur, duke mbledhur dhe administruar provat e sekuestruara” bën me dije policia e Tiranës.
Dhe pse sistemi i sigurisë në qëndrën tregëtare është në cilësinë e tij më të lartë, identifikimi i grabitësve bëhet i vështirë nga maska e përdorur prej tyre.Nga ana e policisë kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes.