Frroku uron besimtarët për Krishlindjet: Të luftojmë për një shoqëri më të mirë

Kreu i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku, ka përcjellë urimet për të gjithë besimtarët kristianë për festën e Lindjes së Krishtit.“Të nderuar miq!Më lejoni që sonte të ndaj me të gjithë besimtarët e krishterë në Shqipëri, Kosovë, në diasporë dhe mbarë botën, me anëtarë të Partisë Kristian Demokrate lajmin e madh të lindjes së Jezu Krishtit, ardhjes në jetë të Atij që solli me vete për mbarë qytetërimin botëror dimensionet reale të jetës, dashurisë, mirëkuptimit dhe harmonisë mes njerëzve. Përmes këtyre fjalëve dua të përcjell tek ju, te familjet tuaja dhe te mbarë shoqëria që beson, mesazhin plot domethënie që na sjell nata e Krishtlindjeve”.Përmes mesazhit të urimit të shpërndarë për mediat, deputeti Frroku, fton të gjithë shqiptarët të luftojnë dhe sakrifikojmë për një shoqëri më të mire.“Në emër të besimit dhe vlerave të kësaj dite Dashurie, le ta përqafojmë lindjen si një burim drite, force dhe energjie; që të gjithë së bashku të luftojmë dhe sakrifikojmë për një shoqëri më të mirë, duke filluar që nga dita e nesërme.Për secilin prej jush përcjell lutjet dhe urimet më të mira për një jetë në harmoni dhe besimin te Zoti”.