Daçiç: Jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me Kosovën, pavarësisht se raundi i djeshëm i bisedimeve nuk ka sjellë marrëveshje për gjykatat në veri.Dacic ka thënë se problem është se Prishtina nuk e pranon specifikën e veriut të Kosovës dhe përpiqet të injorojë çdo gjë për të cilën ka rënë dakord.“Ka shumë nervozizëm te delegacioni i Prishtinës, sepse është mësuar të jetë i përkëdheluri i komunitetit ndërkombëtar dhe propozimet e tij të pranohen apriori”, ka thënë Daçiç.Ai po ashtu ka shfaqur bindjen se Serbia po shkon drejt Bashkimit Evropian dhe se nuk harron kë ka miq. Në mesin e tyre, Daçiç ka përmendur Rusinë dhe Kinën.Daçiç, që është edhe Ministër i Punëve të Brendshme, ka folur edhe për varrezën masive në Rudnicë të Serbisë, duke thënë se është akoma herët për të nxjerrë çfarë përfundimesh finale për këtë.“Nuk ka dilema që nga ana jonë, çdo gjë që ka të bëjë me krimet e luftës, do të dënohet në mënyrën më të ashpër”, iu tha ai gazetarëve gjatë vizitës në vendin Boljevac afër Beogradit.Sipas tij, gjetja e varrezës nuk ka kurrfarë lidhje me negociatat për afrimin e Serbisë në BE.Ai porositi se “ashtu sikundër Serbia i qaset në mënyrë të përgjegjshme çështjeve nga e kaluara, edhe fqinjët do të duhej të sillen në të njëjtën mënyrë dhe të gjykojnë krimet e tilla”.