Liderët “bashkë” për reformën zgjedhore, por pa marrëveshje

Reforma zgjedhore i ka bërë bashkë sërish subjektet politike. Megjithatë, përkundër këtij takimi, përfaqësuesit politikë nuk kanë arritur të merren vesh sa i përket ulëseve të rezervuara për minoritetet dhe përbërjen e KQZ-së.Pas përfundimit të takimit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka thënë se nuk është arritur pajtimi për ulëset e rezervuara. Sipas tij, në këtë takim është përsëritur kërkesa për zgjatjen edhe për dy mandate të ulëseve të rezervuara si dhe ka thënë se minoritetet kanë kërkuar edhe garantimin e ulëseve për veriun. Sipas ministrit Rashiq, garantimi i vendeve edhe për dy mandate do t’i sillte përfitime jo vetëm minoriteteve, por gjithë Kosovës.Rashiq ka bërë të ditur se me këtë propozim nuk janë pajtuar disa parti shqiptare. Pavarësisht se Kosova do të ketë vetëm një zonë zgjedhore, veriut duhet garantuar ulëset në parlament, pasi sipas tij, kjo do të ndikojë në integrimin e serbëve të asaj pjese. Kundër ulëseve të rezervuara nuk është deklaruar kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili ka thënë se partia e tij është konstruktive.I pyetur nëse është arritur ndonjë marrëveshje, Pacolli ka thënë se marrëveshjet janë arritur në një takim tjetër, duke iu referuar takimit të para disa ditësh në ambasadën amerikane. Në këtë takim LDK-ja dhe AAK-ja janë përfaqësuar në nivel deputetësh. Ndërkohë, pas takimit, kryeministri Thaçi është larguar pa folur për media.Ai në Facebook ka konfirmuar dakordimin sa i përket zonës zgjedhore, përcaktimit të 14 ditëve të fushatës zgjedhore, që pragu zgjedhor të jetë 2.5 për kandidatët e pavarur, pesë për parti dhe dhe 7.5 për qind për koalicione parazgjedhore. Sipas Thaçit, mbetet çështja e participimit të garantuar prej 30 për qind të gjinisë femërore, që kërkon edhe ndryshime kushtetuese.