Kosova, një muaj afat Bosnjës për regjimin e vizave

Bosnjë e Hercegovina do të ketë afat gati një muaj që të vendosë përfundimisht rreth raporteve me qytetarët e Kosovës. Në rast se nuk ndryshon qëndrimi e saj rreth qarkullimit të lirë të shtetasve të Kosovës, atëherë Kosova do të nis zbatimin e reciprocitetit në aplikimin e vizave për qytetarët e këtij shteti, nga 15 janari të vitit të ardhshëm.Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se nëse deri në fillim të vitit të ardhshëm autoritetet e Bosnjës nuk reflektojnë në raport me Kosovën, atëherë masa e reciprocitetit është e pashmangshme.Zyrtarët nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës kanë bërë të ditur për REL se ministri Hoxhaj, në një nga mbledhjet e ardhshme të ekzekutivit do të propozojë një vendim i cili parasheh regjim vizash për Bosnjë dhe Hercegovinën.“Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në një nga mbledhjet e ardhshme të Qeverisë së Kosovës do të propozojë një vendim i cili parasheh dhe saktëson vendosjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjës, si masë reciprociteti ndaj asaj se si është sjellë dhe çka kanë bërë autoritet në Bosnje në këto 6 vitet e fundit në raport me Kosovën”, deklaroi këshilltari politik i ministrit, Bashmir Xhemaj.Xhemaj ka theksuar po ashtu shteti i Bosnjë Hercegovinës “ka treguar një joseriozitet në raport me Kosovën, në veçanti me aplikimin e vizave ndaj qytetarëve kosovarë”.Kurse, Nebojsa Regoje, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, ka deklaruar se deri më tash, nuk ka ndonjë njoftim zyrtar lidhur me vënien e regjimit të vizave nga Kosova për shtetasit e tyre që duan të hyjnë në Kosovë.“Ministria e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, deri më tash, nuk ka marrë ndonjë lajmërim zyrtar për vënien e vizave për shtetasit e Bosnjë dhe Hercegovinës për hyrje në territorin e Kosovës. Ambasada jonë në Shkup (Maqedoni), e cila është e autorizuar edhe për mbulimin e territorit të Kosovës po i verifikon këto pohime, ndërkaq ministria do të njoftojë në mënyrë adekuate opinionin e Bosnjë e Hercegovinës, sapo të marrim detajet”, tha Regoje.Kurse, zëvendësministri në Ministrinë e Diasporës së Kosovës, Qerim Bajrami, nga radhët e komunitetit boshnjak, në një deklaratë tha se propozimi për regjimin e vizave ndaj qytetarëve të Bosnjës të cilët duan të hyjnë në Kosovë është i drejt.Bajrami thekson po ashtu se është paradoksale që kosovarët mund të udhëtojnë në Serbi pa viza e në Bosnje jo.“Kosova si shtet me vite të tëra vuan nga vendimet e Bosnjës për viza ndaj qytetarëve të Kosovës të cilët udhëtojnë në Bosnje. Nëse dëshirojmë të udhëtojmë, ne na duhet të shkojmë në Shkup, t’i humbim dy ditë, të paguajmë dhe të kemi shumë dokumente. Është më lehtë për një kosovar të marrë vizë kanadeze se sa të Bosnjës", thotë Bajrami.Ai shton se më së shumti pasojat e një regjimi vizash nga ana e Kosovës do t’i vuajnë boshnjakët e Bosnjës, sepse kroatët dhe serbët e Bosnjës i posedojnë dokumentet e Kroacisë dhe të Serbisë të cilëve nuk u duhen vizat.Bosnjë e Hercegovina është një ndër vendet që ende nuk e pranuar pavarësinë e Kosovës.