Budva, Tahiri në Ministerialin e Europës Juglindore, takon edhe kryeministrin serb
Nga OraNews Përditësimi i fundit 20 Dhjetor 2013, 13:40
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka marrë pjesë në Forumin e Ministrave të Brendshëm dhe atyre të Drejtësisë së vendeve të Europës Juglindore dhe Bashkimit Evropian që është zhvilluar në Budva të Malit të Zi në datë 19 dhjetor. Në këtë forum janë diskutuar çështje të rëndësishme që përbëjnë shqetësim dhe janë njëkohesisht objektiva të përbashkëta për të gjitha vendet e rajonit, siç janë ato që lidhen me aspektet e aderimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër një rëndësi e veçantë i është kushtuar luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe mekanizmit të monitorimit të lëvizjes së qytetarëve të këtyre vendeve pas procesit të liberalizimit të vizave.