Dy dekretet për Gj.Lartë, Meta-Topallit: Gabon në raportin me të vërtetën
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes zëdhënësit të tij për deklaratën e deputetes, Jozefina Topalli, në rrjetin social Facebook, sipas të cilës Kryetari i Kuvendit ka kyçur në sirtaret e tij dy dekrete për dy gjykatës në Gjykatën e Lartë. Sipas zëdhënësit, Emiljano Aleksi, Topalli gabon në raportin e saj me të vërtetën, i cili sipas tij është i pasaktë.“Informojmë publikun se zonja Topalli mund të mësonte pranë Kryesisë së Kuvendit se dekretet e Presidentit të Republikës kanë vetëm tre javë që kanë mbërritur në zyrën e Kryetarit të Kuvendit. Zonja Topalli duhet të dinte se sipas nenit 136, pika 1 e Kushtetutës; dhe rregullores së Kuvendit, neni 111, pika 6, Kryetari i Kuvendit duhet t’i përcjellë këto dekrete në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Dhe kështu ka ndodhur. Ky komision, duhet të shqyrtojë dhe hartojë raportin përkatës brenda tetë javëve. Kuvendi i Shqipërisë është i detyruar ta shqyrtojë këtë raport për të dhënë pëlqimin brenda një jave nga përfundimi i tij dhe ta përfshijë në rendin e ditës. Zëdhënësi i Kryetarit të Kuvendit është i autorizuar të informojë publikun në përgjithësi dhe ndjekësit në Facebook të zonjës Topalli në veçanti, se koha kur dekretet e dikurshme presidenciale kyçeshin apo më keq akoma, syrgjynoseshin në sirtaret e Kryesisë së Kuvendit, ka mbaruar përfundimisht” thekson Aleksi.Në vijim zëdhënësi i Kuvendit deklaron se nuk do të ketë ripërsëritje të praktikave të tilla të gabuara, jo transparente dhe jo demokratike të së shkuarës. Sipas tij i gjithë ky sqarim pasaktësie nuk do të kishte ndodhur, nëse ish-kryparlamentarja Topalli do të kishte pasur durimin, detyrimin dhe mirësinë për të kërkuar shpjegime në rrugë zyrtare apo qoftë dhe informale, nëse do të dëshironte që të përmirësonte raportin e saj me të vërtetën.“Sqarimi i mundshëm i rrethanave të vërteta mbi dy dekretet e cituara, do ta ndihmonte zonjën Topalli që të mos dilte në konkluzione gabuara politikisht dhe juridikisht” përfundon Aleksi.Në një postim në facebook, Topalli akuzoi Metën se ka kyçur në sirtaret e tij ne kundershtim me rregulloren e Kuvendit dekretet për 2 gjykates per ne Gjykaten e Larte.“Prej disa javesh jane dekretuar 2 gjykates per ne Gjykaten e Larte! Por kryetari i Kuvendit i ka kycur ne sirtaret e tij, ne kundershtim me rregulloren e Kuvendit ,qe e detyron ti kaloje menjehere ne komisionin pergjegjes te ligjeve dhe pastaj ne seance plenare! Ligji nuk vlen me as ne Parlament! Antiligji dhe antishteti jane sot ne fuqi! Brutaliteti , urrejtja dhe hakmarrja eshte kauza e tyre!! Kjo maxhorance po rrokulliset cdo dite e me shume drejt delegjitimimit!”shkruan Topalli.