Shtyrja e statusit në qershor, Ministria e Integrimit: Do vijojmë me reformat

Ndërsa dështuam edhe në këtë test të dhjetorit për marrjen e statusit në Bruksel, Ministria e Integrimit Evropian, thekson se do të vazhdojë me ritme të shpejta zbatimin e të gjitha reformave që kanë nisur.“Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, mori pak minuta më parë vendimin lidhur me propozimin e bërë nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë.Këshilli, ka vlerësuar progresin domethënës dhe angazhimin e qeverisë së re për të intensifikuar punën në kuadër të procesit të integrimit, duke theksuar se Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe marrja e statusit është vetëm çështje kohe. Këshilli i ka cilësuar mbresëlënëse hapat e ndërmarra sidomos sa i përket reformave integruese, duke vënë theksin te konsensusi i arritur nga klasa politike. Sipas tij, qeveria dhe Parlamenti i ri kanë treguar se kanë mundësi për ta mbajtur këtë konsensus politik. Këshilli shprehet se do të shqyrtojë statusin e Shqipërisë duke u bazuar mbi raportin e radhës që do të prezantohet nga Komisioni Evropian. Do të vijojmë të përmbushim angazhimet dhe detyrimet tona kundrejt qytetarëve shqiptarë dhe do të intensifikojmë përpjekjet tona, pasi hapat që po ndërmarrim, kanë ndikim të drejtpërdrejtë, jo vetëm në procesin e integrimit por kryesisht në zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë” thekson Ministria e Integrimit në deklaratën për mediat.Sipas Ministrisë gjatë muajve të fundit ashtu sikurse edhe sot nga Këshilli i Ministrave, Shqipëria ka marrë vlerësime mjaft pozitive për progresin e bërë, të cilat reflektohen në progres-raportin e muajit tetor, dhe rekomandimin zyrtar që ka bërë Komisioni Evropian, si dhe në rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian vetëm pak ditë më parë.Ministria e Integrimit Evropian, falenderon Komisionin, Parlamentin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së për mbështetjen dhe kontributin në këtë proces, po kështu Ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura për vendosmërinë e treguar në zbatimin e planit të masave, opozitën shqiptare dhe të gjithë aktorët e tjerë.Ministria e Integrimit Evropian, falenderon mbi të gjitha qytetarët shqiptarë për besimin, për qasjen e tyre ndaj BE-së, duke garantuar se do të vazhdojë me përpikëri të gjitha për të përshpejtuar procesin e integrimit, si perspektiva e të ardhmes së vendit tonë.