JO e Brukselit për statusin, Basha: Përgjegjësi e qeverisë, posaçërisht Kryeministrit

Dështimin për të tretën herë radhazi për marrjen e statusit kandidat në BE, Partia Demokratike e lidh direkt vetëm me një emër, kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Kreu i demokratëve Lulzim Basha në një dalje për mediat menjëherë pas vendimit të Ministrave të Jashtëm të BE, tha se veprimet 3 mujore të kësaj qeverie përmbysën të gjithë progresin që trashëgoi nga qeveria demokrate, me të cilat në bindjen e tij do të kurorëzoheshin padyshim me një ‘PO’ në Bruksel.“Shpresa për një “Po” nga Brukseli ishin të përligjuara, për punën e bërë nga qeverisja e PD. Shqipëria ishte gati që vitin e kaluar por u shty për shkak të bllokimit të 3 ligjeve nga PS në opozitë. Në fund maji këto ligje u miratuan dhe rruga u hap. PD bëri zgjedhjet më të mira që ka njohur Shqipëria dhe kreu një kalim të qetë të pushtetit, duke sjellë edhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Nuk kishte asnjë pengesë, asnjë arsye dhe si qershia mbi tortë ishte progres-raporti i KE, që komisioni njohur dhe evidentoi faktin se Shqipëria arriti të ruajë ekonominë. Koalicionit të ri, Rama-Meta nuk u mbeti tjetër, veç të shkonin e të merrnin statusin. Me daljen në opozitë PD, përcaktoi politikën “po” pa kushte ndaj integrimit dhe çdo akti ndaj këtij procesi. Në çdo takim me partnerët tanë lobuam. Bëmë gjithçka kur ishim në qeveria dhe gjithçka që mundëm në opozitë. Por siç pa sot, asgjë e re nuk ka ndodhur me statusin këto 3 muaj, veç se është ndryshuar qeveria. Shtyrja e statusit është përgjegjësi e saj. Kjo qeveri, me paligjshmërinë e saj, shkatërrimit të Policisë së Shtetit, spastrimeve të administratës publike, kanë ushqyer fuqishëm skeptikët dhe kanë kthyer skeptikë fuqi të mëdha europiane që deri dje ishin pro statusit”, deklaroi Basha.Duke e vlerësuar vendimin e sotëm si goditjen e dytë fatale ndaj qeverisë Rama pas protestës për armët kimike, Basha tha se Kryeministri është sot në borxh të madh me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, pasi shtyrja erdhi vetëm për shkak të skepticizmit që ka ushqyer ai.“Është goditja më e rëndë pas armëve kimike. Po shkojnë drejt zeros arsyet se pse duhet të vazhdojë të jetë në qeveri. PD shpreson se shtyrja do të përjetohet si një dush i ftohtë, dhe do t’i shërbejë asaj si mësim për tu angazhuar që të na mundësojnë kapjen e trenit të rradhës”- tha kreu i PD-së.Deklarata e plote e kreut te Partise Demokratike Lulzim Basha.Partia Demokratike e Shqipërisë shpreh keqardhjen dhe hidhërimin e saj për vendimin e pak orëve më parë të Këshillit Europian, për të shtyrë përsëri dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Ky është një lajm i keq dhe i padëshiruar për Shqipërinë dhe për shqiptarët, populli më proeuropian i rajonit, që priste në këtë fund viti marrjen e statusit dhe nisjen në rrugën e sfidave të reja për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane.Shpresa, optimizmi, besimi popullor dhe besimi ynë si opozita e vendit, për një “po” nga Brukeli kësaj radhe, ishin më se të përligjura, të bazuara në përmbushjen e plotë nga ana e Shqipërisë dhe qeverisë së deridjeshme të Partisë Demokratike, të të gjitha detyrave dhe kritereve të Bashkimit Europian për marrjen e statusit, si një etapë e ndërmjetme në rrugën ende të gjatë të anëtarësimit të vendit me të drejta të plota në Europë.Shqipëria ishte gati që vitin e kaluar, por siç dihet botërisht, statusi u shty për shkak të bllokimit të tre ligjeve të famshme nga Partia Socialiste në opozitë.Në fundmaj të këtij viti tre ligjet u votuan më në fund me konsensus në Kuvendin e Shqipërisë dhe rruga e marrjes së statusit u hap.Qeveria e Partisë Demokratike zhvilloi në qershor të këtij viti zgjedhjet më të mira në historinë e tranzicionit, të njohura botërisht si të tilla dhe kreu kalimin demokratik të pushtetit në duart e ish opozitës së majtë, duke përmbushur një kriter të përshershëm të funksionimit dhe pjekurisë së demokracisë dhe duke fuqizuar me një arritje shumë të rëndësishme marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.Nuk kishte më asnjë pengesë, asnjë arsye për të mos na e dhënë statusin. Si qershia mbi tortë erdhi në tetor të këtij viti edhe progres raporti i Komisionit europian për vitin 2013, në të cilin, përveç vlerësimit me nota shumë pozitive të reformave dhe zgjedhjeve të sukseshme, Komisioni njohu dhe evidentoi faktin shumë domethënës së përkundrejt krizës ekonomike globale Shqipëria arriti të ruajë stabilitetin makroekonomik dhe rritjen pozitive ekonomike.Koalicionit të ri qeveritar Rama-Meta nuk u mbeti gjë tjetër veçse të shkonin ta merrnin statusin në Bruksel, për ta festuar me gjithë shqiptarët. Ky ishte realiteti i integrimit kur ata u instaluan në qeveri.Aq më tepër kur me daljen në opozitë, Partia Demokratike, në koherencë me historinë dhe identitetin e saj europian e kombëtar, përcaktoi politikën “po pa kushte” ndaj integrimit në përgjithësi dhe çdo akti e ligji për këtë çështje në veçanti. Ne u përfshimë në një përpjekje të vazhdueshme pranë partive simotra europiane dhe në çdo takim e komunikim me parnerët tanë europianë e amerikanë. Ne morëm nismën për miratimin e rezolutës konsensuale të Kuvendit të Shqipërisë për statusin.Ne bëmë gjithçka që duhej bërë kur ishim në qeveri, dhe gjithçka që mund të bënim kur dolëm në opozitë.Por, siç u pa sërish sot, suksesi në synime të tilla kërkon doemos qeverinë, që duket qartë se është problemi.Asgjë e re nuk ka ndodhur me statusin këto tre muaj, veçse është ndryshuar qeveria e Shqipërisë. Shtyrja e statusit është përgjegjesi e saj, është vepër e saj.Kjo qeveri dhe personalisht kryeministri Rama, përmes arbitraritetit të tyre të skajshëm, paligjshmerisë skandaloze të akteve të tyre, përmes goditjeve sistematike të institucioneve të pavarura, shkatërrimit të policisë së shtetit, spastrimet e ethshme në administratën publike, zhbërjen si konstante e përditshme dhe e vetme e qeverisjes së tyre, ka ushqyer fuqishëm skeptikët dhe kanë kthyer në skeptikë edhe fuqi të mëdha europiane që deri dje ishin të hapur dhe pozitivë për statusin.Konsensusin që dha për nëpunësin civil në qershor, kur kishte rënë perdja e statusit, e tërhoqi tinëzisht në tetor kur ishte ngritur përsëri perdja e statusit.Ky është vetëm simboli përgjithësues i zhbërjes “Rama”, që nuk mund të kishte në të vërtetë produkt tjetër nga ky që mori në Bruksel me shtyrjen e statusit. Ai që e bllokoi kur ishte në opozitë, e humbi me sjelljen e tij kur erdhi në qeveri.Edi Rama është sot në borxh ndaj shumicës dërrmuese europianiste të Shqipërisë për çështjen e statusit.Shtyrja e statusit për shkak të skepticimit që ka ushqyer qeveria Rama-Meta është goditja më e rëndë që merr kjo mazhorancë, pas goditjes që ka marrë nga qytetarët e vet dhe patnerët tanë strategjikë për çështjen e armëve kimike. Në këtë moment Edi Rama është i pabesueshëm edhe për Europën. Me bilanc zero në të gjithë paketën e premtimeve të tij për 100 ditët e para, drejt zeros po rrokullisen edhe arsyet se përse duhet të vazhdojë të jetë në krye të qeverisë me gjithë këto dështime të bujshme brenda dhe jashtë vendit.Në këtë orë të zymtë, Parta Demokratike shpreson akoma se shtyrja e statusit do të përjetohet si një dush i ftohtë nga shumica PS-LSI dhe kjo do t’i sherbejë asaj për të nxjerrë mësime, për tu korrigjuar, për të rimarrë pa humbur asnjë minutë angazhimet demokratike që do të na mundësojnë kapjen e trenit të radhës.Ëndrra europiane e shqiptarëve nuk mund të ndalet, ajo shkon përtej vendimeve të një momenti, përtej lajmeve të këqija nga fronti i qeverisjes. Kjo ditë që nuk u bë dot e bardhë duhet të na shërbejë të gjithëve për të marrë në dorë fatin e integrimit të vendit.