Arrestohet kryegjykatësi i Pukës, Shtjefën Lleshi akuzohet nga drejtësia për korrupsion

Shkon në 7 numri i të arrestuarve nga policia për skandalin në qytetin e Pukës. Gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg për ish-kryetarin e Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi. Arrestimi i Lleshit nga policia e Tiranës është bërë pas miratimit të këtij vendimi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.Dy ditë më parë Këshilli i Lartë i Drejtësisë kishte vendosur me votë unanime lejimin e caktimit të masës së sigurisë për ish-kryetarin e Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi. Vendimi është marrë në një mbledhje urgjente të KLD-së të zhvilluar me dyer të mbyllura.Pas këtij vendimi Prokuroria nisi hetimet ndaj gjyqtarit që akuzohet se bashkë me punonjëset e Gjykatës dhe prokurorin, se kanë liruar nga burgu së paku dy persona kundrejt ryshfetit.Krahas arrestimit të gjashtë personave, përfshi kryeprokurorin e Pukës, dy avokatë, të dyshuarin si sekser dhe dy punonjëse të Gjykatës së Pukës, Prokuroria dhe Gjykata e Tiranës kishin kërkuar leje në KLD për hetimin e gjyqtarit, Shtjefën Lleshi.Tre ditë më parë vetë Shtjefën Lleshi, në një deklaratë për median hodhi poshtë dyshimet e ngritura ndaj tij, ndërsa theksoi se do të vazhdojë detyrën duke iu bindur vetëm vendimeve të KLD-së.