"SportRadar" i jep Shqipërisë vendin e parë për trukime ndeshjesh

Çdo thashethem i mundshëm për trukimin e ndeshjeve të futbollit në Shqipëri tashmë ka marrë konfirmimin përfundimtar me raportin e publikuar nga kompania "Sportradar", lideri botëror në monitorimin e fluksit të parave në bastet sportive.Sipas këtij raporti mbi manipulimet e ndeshjeve, vendin e parë në botë e zë Shqipëria, pasi skuadrat tona si duket kanë rezultuar pozitive në plot 97 raste në pak më shumë se tre vite. "Sportradar" ka siguruar të dhënat nga monitorimi i luhatjeve të koeficienteve në më shumë se 400 kompani bastesh ndërkombëtare, ku kanë figuruar edhe kuotimet e skuadrave shqiptare, kryesisht në aktivitete kombëtare për periudhën qershor 2009-nëntor 2012.Në vendin e dytë gjenden fqinjët tanë Italianët me 70 ndeshje të manipuluara, një shifër e lartë kjo po të shohim dënimet që në Itali janë dhënë në vitet e fundit. Vendin e tretë në këtë listë të zezë e maban Moldavia me 66 ndeshje të manipuluara, pas saj vjen Estonia 46, Greqia 45, Rusia 42, Maqedonia 37, Bullgaria 35, Letonia dhe Lituania, të dyja me 31 ndeshje. Thuajse çdo vend i botës figuron në hartën e manipulimeve por më të "ndershmit" duket se janë vendet e Beneluksit me Belgjikën që ka vetëm një rast të ndeshur, Holandën 2 e Francën 2.Në fakt, UEFA ka paralajmëruar vazhdimisht Federatën Shqiptare të Futbollit për raportet që i vijnë nga kompanitë e specializuara në identifikimin e ndeshjeve të manipuluara, por asnjëherë institucioni i futbollit nuk është vënë në lëvizje qoftë edhe për të lajmëruar zyrtarisht Prokurorinë që të fillojë një hetim të mundshëm.Vetë presidenti i federates Shqiptare para pak kohesh e ka pranuar në emisionin sport debat se në shqipëri ka trukime, por që të zinim vendin e parë në këtë renditje të zezë askujt nuk i kishte vajtur në mendje. Gjëja me e bukur në këtë situatë është se askuash nuk merr masa edhe pse futbolli shqiptar tashmë është zyrtarisht më i tokuari. Tani, raporti i "Sportradar" nuk lë më vend për dyshim dhe lëshon bombën e radhës në adresë të drejtuesve të futbollit shqiptar, të cilët duhet të marrin masa për parandalimin e këtij fenomeni, para se paralajmërimet e UEFA-s të kthehen në pezullime e përjashtime.