PD: Nëntori i mbushur me krime, pasiguria e jetës në rritje, qeveria krekoset në televizion

Partia Demokratike ka dencuar sot rritjen e kriminalitetit dhe aksidenteve në vend. Deputeti demokrat Arben Ristani në një deklaratë për mediat, tha se të dhënat e kriminalitetit për muajin nëntor janë një alarm për shoqërinë, politikën, dhe veçanërisht për qeverinë.“Dhjetori nisi me një vrasje të tmerrshme në një gjimnaz të Durrësit që tronditi gjithë shoqërinë shqiptare.Partia Demokratike dhe opinioni publik, ngritën zërin për këtë ngjarje, por sidomos për lehtësinë me të cilën krimi kryen sot aktivitetin e tij dhe pamundësinë që ka policia e shtetit për ta parandaluar. E gjitha për shkak të largimit të profesionistëve nga radhët e Policisë së Shtetit dhe zëvendësimit të tyre me shërbëtorë të Partisë Socialiste.Të dhënat e kriminalitetit për muajin nëntor janë një alarm për shoqërinë, politikën, dhe veçanërisht për qeverinë. Të dhënat e kriminalitetit janë sot një thirrje e fortë për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit që të ngrihen në nivelin e duhur të përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit që kërkon situata e rënduar e krimit dhe e pasigurisë së jetës.Partia Demokratike është e detyruar, me keqardhje, të informojë edhe një herë shqiptarët se vetëm gjatë muajit nëntor në vendin tonë kanë ndodhur;700 krime ndaj personit, 160 krime të rënda, Si pasojë, 10 të vrarë.Mesatarisht, kanë ndodhur 24 krime të rënda ndaj personit në ditë.Vetëm në nëntor kemi më shumë se 500 raste vjedhjesh, që do të thotë afërsisht 17 raste të cënimit të pronës së shqiptarëve në ditë.Aksidentet janë shtuar dhe pasiguria është rritur ndjeshëm. Vetëm gjatë muajit nëntor 32 persona kanë humbur jetën në aksidente të rënda. 25 shqiptarë kanë humbur jetën në aksidente rrugore. Mesatarisht, për fat të keq, kemi një person të vdekur çdo ditë nga aksidentet rrugore, dhe akoma më shumë të plagosur e në gjendje të rëndë nëpër spitale.Të dhënat tregojnë për mesatarisht 6 aksidente në ditë, pra afërsisht 180 në një muaj”tha ai.Sipas Ristanit shifrat dhe faktet flasin vetë dhe janë një akuzë e fortë për Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit.“Këto janë treguesit dramatik të rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri për muajin nëntor. Shifrat dhe faktet flasin vetë dhe janë një akuzë e fortë për Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit. Janë një shuplakë e fortë për retorikën e tyre boshe dhe për krekosjen televizive”përfundoi ai.