Tregu te ish-uzina Dinamo i hapur, Min e Bujqësisë tha se do të bënte kontrolle
Puna në tregun ushqimor të shumicës pranë Uzinës Dinamo, ka vijuar normalisht ditën e sotme, edhe pse ditën e djeshme, Ministria e Bujqësisë njoftoi se ky treg do të mbyllej për të shmangur rrezikun nga ndotjet.Kryetari i shoqatës së tregtarëve, Alfred Bozhiqi, në lidhje me këtë vendim të Ministrisë së Bujqësisë është shprehur se nuk ka patur asnjë kërkesë zyrtare për mbylljen e tregut, dhe se lajmin e kanë marrë vesh nga mediat.“Nuk ka patur asnjë kërkesë zyrtare për mbylljen e tregut, lajmin e morëm vesh nga mediat. Jemi të habitur me vendimin, pasi lëndët helmuese nuk kanë kaluar fare përmes tregut”, u shpreh Bozhiqi.Ditën e djeshme Ministria e Bujqësisë ka reaguar për situatën në tregun ushqimor të shumicës pranë Uzinës Dinamo. Në një deklaratë për mediat Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave thekson se po ndjek me vëmendje situatën në Tregun Ushqimor të shumicës pranë Uzinës Dinamo.Sipas Ministrisë, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm nga prania eventuale e ndotjeve, tregu do të mbyllej sot dhe do të fillojë një vlerësim i plotë i ndikimeve mjedisore.Ndërkaq pas përfundimit të monitorimeve do të dilet me një raport të hollësishëm për të informuar opinionin publik.Dy ditë më parë specialistë të Ministrisë së Mbrojtjes zhgoposën në mes të ditës 700 kg lëndë helmuese cianur nga tregu ushqimor më i frekuentuar i kryeqytetit për t’u depozituar në Uzinën Kimike të Elbasanit.Në këtë aksion ka qenë i pranishëm edhe kreu i Inspektoratit të Mjedisit, Ergys Agasi. Ai tha se “një nga prioritetet e Ministrisë së Mjedisit është eliminimi i hotspoteve me mbetje të tilla të rrezikshme për qytetarët”.Prej të paktën 2 vjetësh ka pasur denoncime të medias dhe qytetarëve në lidhje me këto mbetje rrezikshme.