Strategjia kundër korrupsionit, Rama: Betejë për jetë a vdekje,rezultate pas 4 vitesh

Luftë për jetë a vdekje për Shqipërinë e ka konsideruar Kryeministri Edi Rama, betejen kundër korrupsionit në prezantimin e draftit të parë të strategjisë kombëtare për katër vitet e ardhshme.“Ne do e bëjmë këtë reformë, e kemi braktisur luftën që bëhej dikur, me presidentin, me prokurorin, me gjykatat sepse ne kemi besuar se ajo luftë nuk do sjellë asnjëherë rezultate dhe ja ku janë rezultatet, korrupsioni nuk është luftuar. Por nga ana tjetër, reforma në drejtësi dhe vendosja e sistemit të drejtësisë në funksion të drejtësisë kërkon dhe përfshirjen e vetë njerëzve dhe vetë sistemin”tha Rama.Rezultatet e kësaj lufte pritet të jenë fryt i një pune 4-vjeçare.“Nuk dua të flas më gjatë për këtë fjalë që duket se ushqehet më shumë nga konferencat, seminaret, strategjitë që mbeten në nivelet e fjalëve. Kjo plagë është në gjithë sipërfaqen e lëkurës së vendit tonë dhe që brenda gëlon nën lëkurë nga 'kanceri' agresiv dhe 'kanceri' nuk shërohet me terapi të sipërfaqëshme apo duke mbuluar plagët me operacione kozmetike, na duhet aksion i fortë i përbashkët, por unë dua të them vetëm kaq, me ose pa të tjerët ne do bëjmë gjithçka që na takon që pas 4 vitesh të flasim ndryshe kur flasim për korrupsionin”theksoi ai.Por a mjafton vetëm hartimi i ligjeve për luftën kundër korrupsionit? Për Ramën, sigurisht që jo.“Fatkeqësisht nuk është e para, çdo qeveri e ka pasur një strategji kundër korrupsionit dhe uroj të jetë e fundit dhe këtë le ta tregojë koha. Përderisa ka një ditë kombëtare kundër korrupsionit do të thotë se ka korrupsion dhe të gjithë duhet të merren me të, kush më pak e kush më shumë.Ne jemi në fund të tabelës europiane të renditjes për korrupsion dhe sot kur jemi në vigjilje të një tentative për marrjen e statusit të vendit kandidat, është e mirëkuptueshme që kjo strategji nuk mjafton për të shmangur skepticizmin e disa vendeve anëtare. Reformat strukturore janë ato që mund të ndikojnë më shumë në këtë luftë”, tha Rama.Kryeministri Edi Rama garantoi se në këtë beteje qeveria e re nuk do të ecë në hapat e asaj paraardhëse, andaj nuk do te këtë luftë mes ekzekutivit dhe institucioneve të pavarura.Në konferencën që mbahej në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, ishte i edhe zëvendës.kryetari i OSBE, Robert Wilton,i cili kërkoi qe drafi anti-korrupsion i qeverisë te jetë i zbatueshem.“Korrupsioni nuk është një gjë që po vjen me aeroplan në Rinas, ai gjendet këtu. Nevojiten urgjentisht masa konkretet për t’i dhënë fund këtij fenomeni, qytetarët duhet të dinë që po luftohet korrupsioni. Shërbimi në arsim dhe shëndetësu janë mjaft të dëmtuara nga korrupsioni.Qeveria nuk mund ta luftojë korrupsionin e vetëm por shoqëria civile, media biznesi ta mbështesin duke kontribuar në hartimin e stratgegjisë antikorrupsion dhe në zbatimin e ligjeve dhe raportimin e praktikave të korrupsionit” nënvizoi Wilton.Edhe Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, nënvizoi që strategjia 2014-2017, të jetë realiste.“Asnjë ditë nuk mund të jetë më e mirë për të diskutuar për korrupsionin se sa Dita ndërkombëtare e luftës kundër korrupsionit. Të gjithë mblidhemi sëbashku për të dënuar korupsionin si një dëm për të gjithë shoqërinë. Korrupsioni është sëmundje që dëmton institucionet. Niveli i qartësisë së politikave ndikon drejtëpërdrejti tek ata që do e zbatojnë. Lufta kundër korrupsionit është investim për të ardhmen dhe lufta kundër tij nuk është aspak e lehtë”, u shpreh Sequi.Drafti u prezantua nga kordinatori kombëtar anti-korrupsion, njëherësh ministër i Shtetit për Çështjet Lokale, Bledar Çuçi, i cili tha se strukturë-strategjia mbështetet mbi 3 shtylla, qasjen parandaluese, ndëshkuese e edukuese.“Lufta kundër korrupsionit është prioritet bazë i qeverisë Rama dhe kanë nisur konsultimet e para të cilat do të vijojnë duke bërë pjesë të gjithë aktorët. Dokumenti i strategjisë do të jetë i shkurtër por dinjitoz. Ai do të bëj të mundur që lufta kundër korrupsionit të jetë e matshme. Proçesi i hartimit të strategjisë do të jetë i hapur, institucionet do përfaqësohen do të japin mendimet e tyre”, u shpreh Çuçi.