Heqja e cianurit nga tregu “Dinamo”, bashkia kërkon hetim: U rrezikuan qytetarët
“Zhgroposja dhe zhvendosja në mes të ditës, e rreth 750 kg lëndë helmuese cianur, nga tregu i uzinës “Dinamo” që është edhe tregu ushqimor më i frekuentuar i kryeqytetit, është një papërgjegjshmëri e madhe dhe përbën një akt kriminal".Kështu është shprehur nënkryetari I Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo në një deklaratë për shtyp duke theksuar se zhvendosja e lëndëve shumë të rrezikshme helmuese dhe kontaminuese është bërë, gjatë kohës që tregu ka pasur nivelin më të lartë të frekuentimit nga qytetarët.“Duke injoruar planin e masave të parashikuar për këtë aksion tejet delikat, Ministria e Mbrojtjes ka ekspozuar ndaj rrezikut për jetën, qytetarët që frekuentojnë këtë treg e natyrisht tregtarët që ushtrojnë aktivitetet aty. Bashkia e Tiranës kërkon në mënyrë të menjëhershme nga autoritetet përkatëse, të kryejnë analizat, kqyrjet dhe verifikimet e nevojshme, për vlerësuar ndikimin mjedisor të zhvendosjes së lëndës helmuese në kushte amatoreske. Ne u kërkojmë qytetarëve të Tiranës të ndalojnë frekuentimin e këtij tregu, deri në verifikimin e ndikimit që cianuri ka shkaktuar në këtë treg. U kërkojmë organeve përkatëse të nisin hetimet për përgjegjësit e këtij veprimi kriminal, që vuri dje në rrezik jetën e qytetarëve të Tiranës”.Dua t`ju bëj me dije, se vetë Ministria e Mjedisit, duke e konsideruar tejet të rrezikshme për jetën e banorëve zhvendosjen e kësaj lënde helmuese, ka kërkuar pak ditë më parë mbylljen e tregut, deri në zhvendosjen e cianurit dhe verifikimit të situatës, nëse ky treg është apo jo i përshtashëm për vijimin e aktivitetit. Vetëm pas mbylljes së tregut, Ministria e Mbrojtjes mund të ndërhynte për nxjerrjen dhe zhvendosjen e cianurit” ka theksuar Bozdo.