Përfundon takimi Thaçi-Daçiç në Bruksel, përparim mbi çështjen e policisë
Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, përmbyllën edhe një raund bisedimesh me pohimet se janë arritur përparime dhe me pajtimin për t’u takuar sërish më 13 dhjetor.Temat kryesore të diskutimeve sot ishin çështjet e policisë, gjyqësisë e doganave që janë pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila ndërmjetëson bisedimet, tha se ato ishin konstruktive dhe është arritur përparim vendimtar në çështjet e policisë dhe çështje të tjera.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi shumw të rëndësishëm takimin në të cilin siç tha ai, janë përmbyllur të gjitha çështjet, për sa i përket integrimit në strukturat e policisë dhe janë shënuar përparime në çështjen e gjyqësisë.“Do të thotë nuk ka më çështje të diskutueshme, apo të hapura. Të gjitha janë shumë të qarta, dhe që nga nesër do të mund të fillojë integrimi në polici, i të gjithë njerëzve që dëshirojnë të integrohen. Gjithashtu është bërë progres edhe në sistemin e drejtësisë, dhe besoj se brenda javës së ardhshme do të mbyllet dhe do të fillojë së funksionuari sistemi i drejtësisë edhe në pjesën veriore të Kosovës, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ndërsa paralelisht me këtë progres, me këtë integrim në sistemin e drejtësisë dhe policisë, duhet të shkojë edhe shpërbërja e Mbrojtjes Civile që ekziston atje”, tha kryeministri Thaçi.Ai tha se nuk është biseduar sot në mënyrë të veçantë për asociacionin e komunave me shumicë serbe e cila nga kundërshtarët e bisedimeve, shihet si një veprim që nuk siguron integrimin, por krijimin e një entiteti të veçantë serb brenda Kosovës.“Asociacioni do të formohet në bazë të legjislacionit të Kosovës dhe do të ketë një formë të organizatës joqeveritare”, tha kryeministri Thaçi.Edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se është shënuar përparim në fushën e policisë dhe se gjatë ditëve në vazhdim pritet që pjesëtarët serbë të strukturave të sigurisë të aplikojnë për të punuar në Policinë e Kosovës.“Këto marrëveshje janë të gjitha të paanshme ndaj statusit, dhe është shumë e rëndësishme që tani pas zgjedhjeve lokale, të mundësohet zbatimi i marrëveshjes së Brukselit në të gjitha fushat. Do të thotë, edhe në fushën e drejtësisë, edhe në fushën e policisë”, tha kryeministri serb.Ai tha se bisedimet rreth çështjeve ende të paqarta rreth drejtësisë do të vazhdojnë në takimin e 13 dhjetorit, i cili mbahet pak ditë para se shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton t’i raportojë këshillit të ministrave që duhet të vendosin për datën e fillimit të negociatave te Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.Serbia mori statusin e vendit kandidat si kundërshpërblim për marrëveshjen me Kosovën, e cila ndërkaq tashmë ka mbajtur takimet e para në kuadër të procesit për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.