Isa Mustafa uron kundërshtarin, kreu i LDK: Nuk dorëhiqem
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ia ka uruar fitoren Shpend Ahmetit dhe ka falënderuar votuesit për besimin që ia kishin dhënë për ta qeverisur kryeqytetin për dy mandate radhazi.“Me gjithë përkrahjen e madhe që kemi marrë nga qytetarët, ne nuk kemi arritur ta fitojmë në garën për kryetar të Prishtinës. Unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë votuesit e LDK-së, të gjithë qytetarët e Prishtinës për besimin që ma kanë dhënë në dy mandate, ndërsa kundërkandidati, z. Shpend Ahmeti, ia uroj fitoren dhe i dëshiroj suksese në punën e tij. Ne do të angazhohemi që bartja e pushtetit në Prishtinë të përfundohet në mënyrë të suksesshme”, ka thënë Mustafa gjatë një konference për media.Mustafa ka thënë se pavarësisht humbjes së Prishtinës, LDK-ja në këto zgjedhje ka dalë fituese.“Dëshiroj që edhe njëherë të theksoj se në zgjedhjet për pushtetin lokal, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë si partia më e votuar. Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në: Gjilan, Podujevë, Ferizaj, Pejë, Lipjan, Istog, Fushë-Kosovë, Suharekë, Viti dhe, në koalicion me AKR-në, në Mitrovicë. Ne, tani, me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, jemi kthyer në vendin e parë, aty ku LDK-ja e meriton të jetë”, është shprehur Mustafa.Ai ka deklaruar se pas këtij proçesi LDK-ja do të vijojë punën dhe përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme.“Ne jemi të bindur se do të fitojmë edhe më bindshëm se në këto zgjedhje”, ka thënë Mustafa, duke falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës që këtë herë i besuan LDK-së dhe që treguan kulturë të lartë politike.