Zgjedhjet në Kosovë marrin notë pozitive nga vëzhguesit evropianë
Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë vlerësoi me notë pozitive procesin e votimit në raundin e dytë.Sipas tyre, në përgjithësi, integriteti i votës është mbrojtur mjaftueshëm, por kishte edhe raportime të fotografimit të fletëvotimit dhe raste të votimit familjar.“Me këto zgjedhje, Kosova po shënon përparim të mëtejshme në rrugën e saj demokratike.Shpresoj që këto zhvillime inkurajuese që kemi vërejtur gjatë këtyre zgjedhjeve do të vazhdojnë deri në fund të procesit dhe se ato do të vënë themelet e forta të zhvillimit të ardhshëm demokratik të Kosovës", tha Roberto Gualtieri, Shef i Misionit."Suksesi i këtyre zgjedhjeve gjithashtu shënon një hap të rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, shton ai.Ambienti i përgjithshëm politik ishte i qetë në ditën e balotazhit, vlerëson Gualtieri ndonëse shton që “kishte tensione dhe pretendime të presioneve ndaj votuesve dhe blerjes së votave në disa komuna”.Vëzhguesit e BE-së kanë qenë të pranishëm në tërë Kosovën për dy muaj. Deklarata e tyre paraprake mbulon zhvillimet që nga raundi i parë i zgjedhjeve.