Samaras: Më e keqja kaloi, vitin e ardhshëm zhvillim dhe ulje e papunësisë
“Po bëjmë një luftë për mbrojtjen e të papunëve, të të varfërve dhe shtresave të mesme. Për të patur besim në një sistem bankar që nuk favorizon vetëm bankat, por edhe qytetarët”, theksoi kryeministri Antonis Samaras duke folur në konferencën vjetore të Dhomës greko-amerikane të Tregtisë, me temë “Koha e ekonomisë greke”.Duke iu referuar tatimit të pasurisë së patundshme, Samaras tha se kjo pasuri do të tatohet në mënyrë unike, se shuma e përgjithshme do të mbetet në nivelin e vitit 2013, por me zgjerim të bazës tatimore dhe lehtësim për 75% të familjeve.Kryeministri grek u shfaq optimist për ecurinë e ekonomisë, duke thënë se “më e keqja kaloi dhe viti i ardhshëm do të jetë një vit i rimëkëmbjes së ekonomisë. “Për herë të parë sivjet i mbuluam nevojat tona dhe do të na mbetet dhe diçka, nuk do të marrim kredi, ky është suficiti primar. Deri tani e shmangëm falimentimin. Tani po flasim të gjithë për kompetivitetin, produktivitetin dhe eksportet” tha Samaras.“Vendi humbi 25% të GDP-së, ndërsa niveli i jetesës ra me 40%, papunësia shkoi në 27,5% dhe tek të rinjtë 60%. Një përshtatje kaq kolosale nuk është bërë pas lufte në asnjë vend. Mirëpo kemi pushuar së prodhuari deficite dhe tani do të prodhojmë produkte konkurruese. Duhet t’i shërojmë plagët e shoqërisë. Qëndruam në euro, dalja nga euro do të thoshte vdekje e menjëhershme. Do të thoshte shkatërrim të plotë të ekonomisë dhe të shoqërisë, mungesë e artikujve bazikë, karburanteve dhe barnave. Dikur na thoshnin se mbjellim panik duke thënë këto, tani e pranojnë edhe ata se nuk duhej të dilnim nga euro.Disa vinin bast se nuk do të kishte suficit sivjet, tanë kafshojnë gjuhën e tyre. do t’i përgënjeshtrojmë edhe për mot, dhe do të kemi zhvillim dhe ulje të papunësisë. Më të këqijat kaluan, ekonomia po stabilizohet, spreads po bien”, shtoi ai.Samaras sulmoi edhe opozitën për strategjinë totale të saj, ndërsa e akuzoi se shpreson në katastrofën e vendit. “Zhvillim do të thotë investime. Ata që luftojnë kundër investimeve, nuk e duan zhvillimin. Arroganca e atyre që bllokojnë zhvillimin dhe investimet do të ndalojë. Mënyra më e mirë për të dalë nga memorandumi është të arrijmë suficit primar, tha kryeministri dhe shtoi se “disa tremben se zhvillimi do të fillojë vitin e ardhshëm, ndërsa suficiti primar, që do të çertifikohet në prill, do të lejojë korrigjimin e disa padrejtësive, duke filluar nga pensionet e ulëta dhe forcat e armatosura. “Zhvillimi do të ndihmojë që të përballohet edhe çështja e normalitetit të borxhit. Lajmet e mira për Greqinë do të jenë të këqija për ata që shpresonin në katastrofën e vendit”, theksoi kryeministri.Kryeministri iu referua edhe energjisë, duke thënë se rezervat energjitike të Greqisë, të Qipros dhe të Izraelit, kur të shfrytëzohen plotësisht do të mund të përmbushin gjysmën e nevojave të Europës, për dekada të tëra.