Të enjten raundi i ri i bisedimeve Kosovë-Serbi

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, do të takohen të enjte më pesë dhjetor në Bruksel, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është arritur 19 prill të këtij viti.Takimi është ftuar nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catheirne Ashton, e cila është shprehur e kënaqur me ecurinë e zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë, të cilat sipas saj janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë.Edhe kryeministri Thaçi tha se në takimin e radhës do të diskohet për përshpejtimin e procesit të zbatimit të marrëveshjes, “do të thotë për funksionimin e Policisë së Kosovës në të gjithë territorin e Kosovës, instalimin e sistemit të Drejtësisë sipas legjislacionit kosovar edhe në atë pjesë të territorit të vendit, pastaj edhe funksionimin e një sistemi unik doganor dhe çështje të tjera”.Marrëveshja e prillit mundësoi përfshirjen e komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës që të përfshihen në zgjedhjet komunale të organizuara nga Prishtina. Sipas marrëveshjes, pas zgjedhjeve pritet krijimi i bashkësisë së komunave serbe që do të gëzojnë një shkallë të gjerë autonomie.Beogradi i ka siguruar serbët se me pushtetin komunal në veriun e Kosovës ata do të ruajnë lidhjet e tyre me Serbinë, ndërsa Prishtina i sheh zgjedhjet si hapin e parë të rëndësishëm drejt integrimit të asaj zone.Por, vëzhguesit tërheqin vëmendjen në sfidat që mund të shfaqen gjatë procesit të zbatimit të rezultateve të zgjedhjeve, posaçërisht në lidhje me krijimin e bashkësisë së komunave serbe.Në përgatitje të takimit të radhës së kryeministrave, në Bruksel po zhvillohen takimet e grupeve punuese për funksionalizimin e këtij mekanizmi.