Shpërthim në Bërnjak, të shtëna armësh edhe në Lagjen e boshnjakëve

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar mbrëmjen e djeshme mes kufirit të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në Bërnjak.Lajmi bëhet I ditur nga mediat kosovare të cilat theksojnë se nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz.Mësohet se 30 minuta pas këtij shpërthimi, në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës janë dëgjuar të shtëna armësh.Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se të shtënat kanë ndodhur afër një lokali në momentin kur disa persona të panjohur kanë provuar të vendosin flamurin shqiptar në njërën prej shtyllave elektrike afër këtij lokali.Sipas këtyre burimeve, pjesëtarët e sigurimit të Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën që ndodhet pak metra më larg, kanë shtënë me armë në ajër për të penguar vendosjen e flamurit.Burimet më tej kanë shtuar se pas kësaj, janë dëgjuar të shtëna armësh nga të dy grupet, të cilat kanë zgjatur për disa sekonda, por që fatmirësisht nuk kanë rezultuar me ndonjë të lënduar.Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka konfirmuar për Kosovapress incidentin, duke thënë se policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe është duke zhvilluar hetime intensive për zbardhjen sa më parë të rastit dhe gjetjen e autorëve të mundshëm të këtij incidenti.