Krasniqi: Shqiptarët nuk ndalën kurrë përpjekjet për liri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka uruar të gjithë shqiptarët për ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe ditën e flamurit. Ai ka kujtuar përpjekjet mbinjerëzore të popullit shqiptar që nga periudha e Rilindjes. Ishte lufta e UÇK-së dhe komandantit Adem Jashari të ndihmuar edhe nga SHBA dhe BE që i ndërruan rrjedhën historisë për shqiptarët, thuhen ndër të tjera në porosinë drejtuar bashkëkombësve në të gjitha trojet shqiptare.”Megjithëse të ndarë dhunshëm e padrejtësisht nga trualli i tyre, shqiptarët nuk ndalën përpjekjet e tyre drejt lirisë. Me vullnet të çeliktë e me sakrifica të pashembullta, u arrit çlirimi i Kosovës duke e shpallur shtet të pavarur dhe sovran. Ishte lufta e pakursyer e UÇK-ës, udhëhequr nga komandanti dhe trimi i paepur Adem Jashari, i cili u flijua me tre brezat e kësaj familjeje , që ndërroi njëherë e përgjithmonë rrjedhën e historisë për shqiptarët. Në këtë luftë të pakursyer shqiptarët u ndihmuan edhe nga miqtë ndërkombëtarë,sidomos nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, të cilëve u jemi gjithmonë mirënjohës” ka theksuar Krasniqi.Ai ka theksuar më tej se kjo festë na bën edhe më të bashkuar e më të vullnetshëm drejt progresit të gjithëmbarshëm, unitetit kombëtar dhe integrimeve evropiane.“Në emrin tim dhe në emër të Kuvendit të Kosovës ju uroj të gjithë qytetarëve shqiptarë kudo që janë:Gëzuar Dita jubilare e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,Dita e Flamurit dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari”, theksohet në mesazhin e Krasniqit.