Raporti për borxhin ndaj biznesit, sot afati i fundit për kompaninë “Deloitte”

Përfundon afati ligjor i dorëzimin të auditit të realizuar nga kompania Deloitte për borxhin që qeveria ka ndaj bizneseve. Sipas kontratës së nënshkruar me Qeverinë, Deloitte duhet të dorëzojë në Ministrinë e Financave raportin final mbi detyrimet e prapambetura që shteti i ka biznesit privat në datën 30 nëntor.Prej një muaji ekspertë të kësaj kompanie kanë kontrolluar të gjitha pretendimet e sipërmarrjes që kanë pagesa të pashlyera nga buxheti i shtetit. Hapi i parë për të gjitha kompanitë, të cilat pretendonin se kanë kryer punë apo shërbime publike dhe nuk janë paguar, ishte vetëdeklarimi pranë Ministrisë së Financave.Pas dorëzimit, raporti do të analizohet më parë nga Ministria e Financave dhe më pas do të bëhet publik. Por kontratat e verifikuara nga Deloitte përbëjnë vetëm një pjesë të borxhit të prapambetur që shteti ka ndaj privatëve. Një shumë e madhe detyrimesh lidhet edhe me rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe një sërë detyrimesh të tjera, që mendohet se e çojnë shifrën totale të borxheve të papaguara në rreth 500 milionë euro.Por, pas çertifikimit të këtij proçesi, do të realizohet edhe verifikimi fizik i këtij borxhi. Vetëm pak ditë më parë Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u shpreh se pas daljes së rezultateve të auditimit nga kompania Deloitte, dikasteri që ai drejton do të fillojë kontrollin fizik të të gjithë faturave të pashlyera që pretendon biznesi.Kreu i financave ka bërë të qartë se nuk do të ketë asnjë pagesë për të gjitha kompanitë pa bërë më parë verifikimin e punimeve konkrete, nëse ato janë brenda parametrave, si dhe në përputhje me kontratat e nënshkruara. Dorëzimi i këtij raporti do ti hapë rrugën qeverisë Rama që të mbajë premtimin për shlyerjen e borxheve ndaj bizneseve.