Kosovë, zhvillohen zgjedhjet në 25 komuna

Në 25 komuna të Kosovës përfshirë edhe veriun e Mitrovicës të banuar me shumicë serbe po zhvillohet raundi i dytë per zgjedhjet lokale ku qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin kryetarët e rinj të komunave.Në të gjitha vendvotimeve në komunat ku zhvillohet balotazhi procesi i votimit po ecën normalisht.Mbi 1 milion e 370 mijë votues do të vendosin për 50 kandidatë të partive të ndryshme politike.Konkurrenca më e ashpër në këto zgjedhje zhvillohet në Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Pejë e Gjilan, ndërsa fushata që u parapriu votimeve të sotme, është përshkuar nga një gjuhë më e ashpër sesa në raundin e parë të zgjedhjeve.Vëzhguesit e pavarur, thonë se kjo mund të jetë nxitur edhe për shkak të ndikimit që mund të ketë rezultati i këtyre zgjedhjeve në ato për pushtetin qendror që do të mbahen vitin që po vjen.Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka bërë sërish thirrje që zgjedhjet për raundin e dytë për kryetar komunash të jenë të drejta dhe demokratike.Jahjaga këtë thirrje e ka bërë pas votimit që ka bërë në Qendrën e votimit në sallën “1 Tetori" në Prishtinë.Ajo është shprehur e bindur se institucionet e Kosovës dhe shoqëria e Kosovës do të dëshmojnë pjekuri demokratike.Jahjaga ka thënë se qytetarët e Kosovës do të dëshmojnë përkushtim për të përmbyllur me sukses edhe këtë raund zgjedhor.“Unë e kreva obligimin tim si qytetare e Prishtinës. Edhe një herë bërë thirrje që këto zgjedhje të jenë zgjedhje të lira të jenë zgjedhje demokratike në frymën e shtetit, të cilin po e ndërtojmë duke i plotësuar edhe standardet më të larta. Ky është edhe një vazhdim i testit për pjekurin tonë demokratike edhe si shtete edhe si shoqëri, dhe unë besoj që ne do të dëshmojmë përkushtimin tonë që ta përmbyllim me sukses këtë proces”, ka thënë ajo.Nga aspekti i sigurisë, Policia e Kosovës ka angazhuar 5.100 forca për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.Balotazhi do të mbahet edhe në Mitrovicën e veriut, ndërkaq në Zveçan do të përsëriten zgjedhjet në tri vendvotime. Për shkak të rrethanave specifike në atë pjesë, Policia e Kosovës do të bashkërendojë masat dhe veprimet me EULEX-in dhe KFOR-in.“Policia e Kosovës do të bashkëpunojë dhe bashkërendojë aktivitetet operacionale edhe me EULEX-in, si reagues i dytë dhe KFOR-in si reagues i tretë në rast nevoje, për të parandaluar incidentet e mundshme, të cilat mund të kenë ndikim në procesin e votimit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.Ashtu si edhe në votimet e 3 nëntorit, edhe në balotazh, ku janë përfshirë 50 kandidatë në garën për 25 vende për kryetar në komunat e Kosovës, i gjithë procesi do të monitorohet dhe vëzhgohet nga afër nga organizata vendase e ndërkombëtare.Bashkimi Evropian, ditën e zgjedhjeve do të ketë 71 vëzhgues.Një numër të caktuar vëzhguesish do ta jenë edhe nga ENEMO dhe organizatat tjera ndërkombëtare.Kurse, me mbi 1.600 vëzhgues do t’i përcjellë votimet edhe koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.Ndërsa balotazhi po zhvillohet në 25 komuna, po nga zgjedhjet e lokale të 3 nëntorit në 13 komuna kryetarët u zgjodhën që në raundin e parë.

Hapen Qendrat e Vendvotimit edhe në veri

Qendrat e votimeve janë hapur me kohë edhe në veri të Kosovës, ku momentalisht shihet një numër simbolik i votuesve. Ndërsa Policia e Kosovës dhe EULEX-it po sigurojnë vendvotimet.

 Në krahasim me zgjedhjet e kaluara, institucionet e sigurisë po qëndrojnë më larg vendvotimeve. Ndërkohë, kandidati për kryetar të veriut të Mitrovicës, Krstimir Pantiç pritet të votojë rreth orës 9.30.

 Ndërkohë, edhe në Ferizaj janë hapur të gjitha qendrat e vendvotimit dhe nuk ka pasur ndonjë parregullsi. Në këtë komunë janë 32 qendra të vendvotimit me 126  vendvotime, ku të drejt vote kanë 100.254 zgjedhës.