100-vjetori, pritet torta gjigande e Pavarësisë

100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë është festuar edhe me anë të një torte gjigande rreth 550 metra katrorë, një element ky mjaft i vecantë në serinë e aktiviteteve. Copat e para të kësaj torte u ndanë prej kryeministrit Sali Berisha, Presidentes Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryetarit të bashkisë Lulzim Basha.“Ka ardhur një moment i veçantë në këtë festë të bukur, e cila sot po vlon anëembanë vendit, anembanë kombi dhe në veçanti këtu, në kryeqendrën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, në Tiranë. Ky është momenti i prerjes së tortës më gjigande që është ndërtuar dhe përgatitur ndonjëherë në botë. Si Kryetar i Bashkisë së Tiranës kam jo vetëm kënaqësinë dhe nderin por edhe detyrimin të falënderoj mbi 200 pastiçierë, dhjetëra e qindra biznesmenë të Tiranës, që bënë të mundur përgatitjen e kësaj torte prej 550 metra katrorë dhe 18 mijë kg. Para se të ftoj Presidenten e Kosovës, Kryeministrin e Kosovës dhe Kryeministrin Sali Berisha për prerjen e tortës, më lejoni t’i jap fjalën njeriut që e mbështeti dhe ndoqi minutë pas minute gjithë përgatitjen, Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha!” - u shpreh Kreu i Bashkisë Lulzim Basha.“Qytetare dhe qytetarë të Tiranës e të mbarë Shqipërisë, qytetare dhe qytetarë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës, shqiptarë kudo që jeni! Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e lindjes së Shqipërisë së pavarur! 100, 1000, mijëra vite në liri, në besim, në shpresë, të bashkuar më shumë se kurrë!Gëzuar!”uroi kryeministri Berisha.Por menjëherë pas kësaj atmosfere gjithcka ndryshoi. Njerëzit u dyndën drejt tortës duke krijuar një situatë skandaloze.Torta kishte shijen e shegës, duke simbolizuar bashkim dhe unitet për shqiptarët, ndërsa shqiponja ishte me shije cokollate. Anës torta ishte e zbukuruar me degë ulliri që simbolizonte begatinë dhe paqen. Për ndërtimin e tortës u shpenzuan rreth 100 mijë euro dhe u angazhuan rreth 200 pastiçierë.