"Mafia e Hamburgut", 5 të arrestuar, 8 në arrati
Gjatë aksionit të koduar me emrin ‘Orion’ MPB-ja, në koordinim me kolegët nga Gjermania, kanë arrestuar 5 persona kurse për 8 të tjerë ka lëshuar fletë-arrest. Të gjithë këta sipas MPB-së dyshohen si pjesë e grupit ‘Mafia e Hamburgut’ të cilët kanë falsifikuar letërnjoftime dhe pasaporta të vendeve të Bashkimit Evropian. Ministria e Brendshme ka ngritur padi ndaj 11 personave, shtetas të Maqedonisë dhe ndaj 1 shtetasi të Shqipërisë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale bashkëpunim për veprimtari kriminele dhe falsifikim të dokumenteve.‘Mbrëmë pas urdhrit të lëshuar nga Gjykatësi Hetues janë bastisur 6 shtëpi në pronë të një pjese të të dyshuarve, këto bastisje janë realizuar në Shkup dhe Tetovë, dhe në agjencinë turistike në Çarshinë e Vjetër. Gjatë këtyre bastisjeve janë sekuestruar telefona dhe sim kartela, 3 kompjuter dhe 2 llap-topa, bankënota në vlerë prej 9 mijë eurove, dokumente nga personat nga fondi për Sigurim Shëndetësor, llogari të WesternUnionit , një shabllon me shkronja të mëdha, simbole dhe numra për vendosje të të dhënave në këto dokumente si dhe mjete tjera që besojmë se janë shfrytëzuar për kryerjen e kësaj vepre penale’, tha Gordana Jankullovska, zëdhënës i MPB-së.Sipas MPB-së të dyshuarit, dokumentet e falsifikuara i kanë shitur në Hamburg për një çmim prej 800 deri 1 mijë e 500 euro, kurse emigrantët në Gjermani i kanë shfrytëzuar ato që të qëndrojnë lirshëm në vendet e BE-së. Ndërkohë dje policia gjermane ka bastisur gjithsej 33 objekte në rajonin e Hamburgut ku ka arritur të sekuestroj 48 dokumente të falsifikuara të porositura nga 38 persona me qëndrim të parregulluar në Gjermani, dokumente këto të përpunuara në Maqedoni.