Këshilli i Sigurimit shqyrton nesër raportin e Ban Ki Moonit për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë nesër raportin e radhës të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon mbi Kosovën.Në raport paraqitet situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë, të cilën Ban Ki Moon e përshkruan si përgjithësisht të qetë, ndërkohë që  vlerëson përparimet në përgatitjen e zgjedhjeve, përfshirë edhe veriun e Kosovës.Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm do të shqyrtohet të martën pasdite në New York, në një seancë të posaçme të Këshillit të Sigurimit, në të cilën do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.Sekretari Ban Ki Moon sërish ka përgëzuar Prishtinën dhe Beogradin për përpjekjet e vazhdueshme në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, si dhe ka falënderuar për rolin e saj Përfaqësuesen e Lartë, Catherine Ashton. Ai ka theksuar rëndësinë e zbatimit besnikërisht të marrëveshjeve, pa rihapjen e dispozitave të tyre.“Progresi në terren si dhe në dialogu politik mbeten thelbësorë për aspiratat e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian”, thekson Ban Ki Moon.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën që do të mbajë në New York, pritet të njoftojë anëtarët e Këshillit të Sigurimit mbi zhvillimet tremujore, me një përqendrim në zgjedhjet lokale të vlerësuara të drejta dhe sipas standardeve, përjashtuar veriun të përfshirë me incidente, si dhe do të ritheksojë premtimin e gjithpërfshirjes së të zgjedhurve në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.