Armët kimike, Dokle: Mësim i madh për Ramën, Berishën, Arvizu

Deputeti i PS-së, Namik Dokle e ka quajtur çështjen e armëve kimike, mësim të madh për tre burra; Ramën, Berishën dhe ambasadorin amerikan Arvizu.Duke reaguar në profilin e tij në FB, Dokle shkruan se Rama sado i votuar të jetë nuk mund të vendosë për popullin pa e pyetur atë.Mesazhi i plotëProtestat e mijera qytetareve me thirrjen emocionuese ” SHQIPERI E PASTER” jane nje mesim i madh per te gjithe, por me shume per ata… 1.Per EDI RAMEN…Nje kryeminister, sado i votuar te jete, nuk mund te vendos per jeten e popullit, pa pyetur vete popullin. 2.Per SALI BERISHEN…Nese del ” ne shesh” per te futur hundet ne nje kauze te madhe per pislleqe “te vogla”, populli te perze nga sheshi ashtu sic te perzuri nga pushteti. 3.Per ALEKSANDER ARVIZUN…Sllogani aq i bukur “vepro tani” duhet respektuar edhe atehere kur populli e perdor edhe per dicka qe ty nuk te pelqen…Sa per ate tjetrin, “Lulin e vogel’ nuk ja vlen te konsumosh as edhe nje milimeter në Facebook !!!.

Hafizi dhe Blushi : Jo armëve kimike, qeveria të tërhiqet nga negociatat

Kundër ardhjes kimike në Shqipëri është shprehur edhe deputetja  socialiste Mimoza Hafizi, e cila ka deklaruar se edhe në rast se kjo çështje do të shkojë në parlament vota e saj do të jetë në sinkron me zërin dhe qëndrimin e qytetarëve shkodranë, të cilët e kanë edhe votëbesuar për ti përfaqësuar në Kuvend.

“Shqipëria nuk i ka kapacitetet teknike për sfida të tilla dhe sigurisht nuk ishte fjala që Shqipëria ta bënte me forcat e veta. Por kjo është një sfidë shumë e madhe për Shqipërinë si një vend i vogël dhe shqiptarët  që janë ende në psikologjinë e një vendi të vogël. Ndërkohë që sfida është strategjike dhe përkon me mentalitetin e vendeve të mëdha. Kryeministri është atdhetari më i flaktë i këtij vendi dhe  besoj se do të marrë një vendim në përputhje me atë çfarë thotë shqiptari i parë dhe i fundit i këtij vendi. Unë do të jepja votën ashtu siç do të thonë të gjithë qytetarët e Shkodrës” tha ajo.

Po kështu deputeti Ben Blushi  nga qyteti i Elbasanit ka apeluar qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Rama të tërhiqet nga negociatat. Sipas tij sa kohë shumica e shqiptarëve janë kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri, as qeveria nuk mund të jetë pro tyre.

“Unë e kam shprehur dhe do ta them prapë për shkak të një reagimi qytetar, për shkak se ka pasur nevojë për më shumë transprarencë, ka pasur nevojë për një administrim  ndryshe të gjithë kësaj situate, ka pasur nevojë për më shumë detaje të zbardhura. Besoj se është koha që qeveria të tërhiqet nga ngociatat për këtë çështje, pasi në përgjithësi edhe për shkak të mungesës së transparencës shumica e qytetarëve janë kundër dhe kur shqiptarët janë kundër qeveria nuk mund të jetë pro. Unë e kam bërë të qartë se unë jam njëri prejt tyre që nuk mund të votoj pro ardhjes së armëve kimike në Shqipëri, por shpresoj që kjo ditë të mos vijë, shpresoj që në parlament të mos vijë një akt i ngjashëm.  Besoj dhe kam shumë shpresë se qeveria do të marrë vendimin e vet, shpresoj sot,  në kohën e duhur për të qetësuar të gjithë qytetarët, sigurisht edhe ne deputetët e shumicës”.