Basha: Jo armëve kimike në Shqipëri. Kryeministri po fshihet, i papërgjegjshëm

Kreu i PD, Lulzim Basha e ka konsideruar të papërgjegjshëm sjelljen e kryeminstrit Edi Rama përballë protestuesve. Pas mbledhjes së grupit të PD, pasditen e sotme, Basha i bëri thirrje Ramës t'i japë fund kësaj maskarade, ndërsa siguroi se opozita mbështet protestuesit pasi është kategorikisht kundër importit të armëve kimike në vendin tonë."Në këtë orë të mbrëmjes mijëra qytetarë shqiptarë gjenden akoma në rrugët dhe sheshet e qyteteve tona, të kryeqytetit duke kërkuar një të drejtë themelore që u përket atyre, na përket neve dhe askujt tjetër, sigurinë për jetën, shëndetin e shqiptarëve, të fëmijëve të tyre. Në këtë orë ankthi të tejskajshëm të shkaktuar kryekëput nga sjellja e papërgjegjshme e Edi Ramës, ky i fundit është zhdukur pa lënë gjurmë dhe nuk jep dhe nuk jep përgjigje për atë çka populli kërkon, një deklarim të prerë kundër sjelljes dhe asgjesimit të armëve kimike në territorin e vendit. Është zhdukur pa gjurmë sot, me pretendimin e vizitave të cilat duket se nuk janë materializuar, duke treguar një pëpërgjegjshmëri të madhe ndaj qytetarëve, të cilët pa dallime politike po protestojnë dhe po kërkojnë transparencë" tha ai.Basha ka kërkuar nga Rama të deklarojë haptazi qëndrimin e qeverisë shqiptare në interes të publikut, kundër sjelljes së armëve kimike në vend.“Aventurizmi, sensi i papërgjegjshmërisë e ka karakterizuar që në fillim këtë çështje dhe duket se e ka detyruar Kryeministrin tonë në një zigzake gënjeshtrash nga njëra anë ndaj qyatërëve shqiptarë dhe nga ana tjetër ndaj aleatëve. Dhe duket se edhe në këto momente ka vendosur ta zgjidhë dilemën të gënjejë aleatët apo të gënjejë qytetarët jo duke i dhënë fund kësaj, por duke vazhduar të gënjejë të dyja palët. I bëj thirrje sot në emër të opozitës ti japë fund kësaj maskarade të dalë para qytetarëve shqiptarë dhe të bëj transparencën e vërtetë, të deklarohet haptazi dhe prerazi pro interesit publik, kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri. Shqiptarët s’kanë pse të kalojnë asnjë orë të vetme më në ankth aq më shumë një natë të tërë, apo netë të tëra. Opozita mbështet fuqishëm protestën qytetare, ka qenë dhe do jetë e pranishme si qytetarë pranë qytetarëve shqiptarë. Kemi një kërkesë të vetme, të respektohet integriteti fizik i çdo qytetari shqiptar, të mos merren vendime që rrezikojnë shëndetin publik dhe sigurinë e tyre, ti thuhet jo ardhjes së armëve kimike në Shqipëri, nuk kemi asnjë çështje tjetër më të rëndësishme se kjo, protesta jonë është terësisht në mbështetje të qytetarëve shqiptarë dhe do vazhdojmë ti mbështesim derisa të marrin përgjigjen e merituar. Ndërkohë ne kemi hedhur të gjitha hapat institucionalë që do vazhdojmë ti ndjekim edhe në ditët e ardhshme. Uroj dhe shpresoj që ky apel i orës së vonë të mos bjerë përsëri në vesh të shurdhër. Uroj dhe shpresoj që mbrëmjen e sotme miliona shqiptarë të mos vazhdojnë ta kalojnë me ankthin që i ka përpirë nga dita në ditë nga nata në natë. I bëj thirrje Edi Ramës ti japë fund heshtjes, gënjeshtrave dhe mashtrimeve dhe të mbajë një qëndrim të prerë, pro interesit publik shqiptar, kundër armëve kimike dhe të ndalë gënjeshtrën e dyfishtë, të ndalë strucin që po bën edhe sot, edhe në këtë orë si ndaj qytetarëve ashtu edhe ndaj aleatëve tanë strategjikë” përfundoi Basha.Më herët Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend kërkesën për Referendum.