Gjosha-Naço: luftë krimit të organizuar dhe korrupsionit

Eurokomisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle edhe kësaj here vjen në Tiranë me misionin e vështirë për të ulur në tryezë palët politike.

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, bëri të ditur se do të zhvillohet një tryezë e rrumbullakët ku do të marrë pjesë edhe komisioneri Fyle, në të cilën do të diskutohen hapat konkretë për realizimin e reformave që kërkon Brukseli.

Gjosha, tha se qeveria ka një plan të ri kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërsa shtoi se lufta ndaj këtij fenomeni është një hap i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.“Vendimi i miratuar sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ka të bëjë me një plan veprimi tepër të rëndësishëm, përsa i përket hapave konkretë, në luftën që qeveria do të ndërmarrë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.Këto hapa konkretë janë punuar nga Ministria e Integrimit në koordinim të plotë me ministritë e linjës, ministritë më kryesore, siç janë Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Ministri i Çështjeve Vendore, si dhe me institucione të pavarura, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për të koordinuar dhe për të plotësuar të gjitha reformat që duhen ndërmarrë.Ky plan veprimi është bërë dhe vjen pas rekomandimit tepër pozitiv që ne kemi marrë edhe nga Komisioni Evropian. Në bazë të këtij rekomandimi, për të ndërmarrë më tej hapa të rëndësishëm kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Ministria e Integrimit do të punojë me të gjitha ministritë e linjës dhe me këto institucione të pavarura. Ne jemi me të vërtetë të vendosur për t’i çuar këto reforma deri në fund.Këto hapa konkretë do të shpalosen edhe në tryezën e rrumbullakët që do të organizohet javën që vjen, ku zoti Fyle do të jetë një nga drejtuesit kryesorë të kësaj tryeze së bashku me Kryeministrin. Në tryezën e dialogut të nivelit të lartë këto hapa konkretë do të shpalosen, në kuadër të mëtejshëm të procesit të integrimit, për hapjen e negociatave dhe për të vazhduar edhe më tej këtë proces të rëndësishëm.Jemi të vendosur që të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin deri në fund, për ta çuar Shqipërinë sa më shpejt në familjen evropiane dhe për të ndërmarrë hapat më kryesorë  në procesin e integrimit evropian”, tha ministrja Gjosha.Qeveria duket se e ka gati paketën për realizim e reformave. Ministri Nasip Naço bëri të qartë se qeveria ka miratuar ndryshimet në Kodin e Proçedures Penale me fokus kryesor luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Qeveria shqiptare sot ka marrë një nga vendimet më të rëndësishme lidhur me strategjinë dhe luftën antikorrupsion që pjesë-pjesë, ne do ta zbatojmë deri në fund.

Një nga ndryshimet thelbësore që në kemi paraqitur dhe shumë shpejt nga sot do kalojnë në parlament, janë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale që kanë të bëjnë me imunitetet e deputetëve,  të gjyqtarëve,  të cilat u bënë ndryshime në Kushtetutë, por nuk u shoqëruan me Kodin e Procedurës Penale. Përmirësimet që bëhen janë të ndjeshme për t’i hapur rrugë Prokurorisë, e cila që nga java që vjen të fillojë realisht të hetojë dhe të luftojë korrupsionin në Shqipëri.

Ndryshimet e tjera konsistojnë dhe tek kompetenca lëndore që i shtohen Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda për rastet e korrupsionit. Pra, ne e konsiderojmë korrupsionin një fenomen të rëndë, që do të hetohet nga Gjykata  e Krimeve të Rënda për t’u thënë të gjithëve që e barazojmë njëlloj me organizatat kriminale, me bandat sepse ky është një nga fenomenet më të përhapura në Shqipëri dhe ne duhet të jemi të denjë për t’u integruar.

Ndryshimet do të shkojnë akoma më tej.

Ne sigurisht duam që të dekurajojmë korrupsionin dhe për këtë kemi propozuar edhe në ligjin tjetër për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve, veprat penale të korrupsionit të futen në fushën e zbatimit. Që do të thotë që duam ta luftojmë në zemër korrupsionin, duke vendosur sekuestro dhe konfiskim të pasurisë të të gjithë atyre që kanë një akuzë për korrupsion apo u provohet korrupsioni. Ne jemi të bindur që me masat e marra do ta luftojmë realisht korrupsionin. Kjo, sepse ne kemi premtuar, shqiptarët presin, të gjithë kanë shpresë tek kjo maxhorancë që ka marrë mbështetjen dhe është votuar nga 1 milion shqiptarë”, u shpreh ministri Naço

Kjo paketë do ti paraqitet komisionerit Fyle i cili vjen të Hënën në Tiranë dhe ka një axhendë të ngjeshur takimesh me krerët më të lartë të shtetit dhe politikës.Takimin e parë Fyle do ta zhvillojë me presidentin Nishani dhe më pas axhenda vijon në kryeminsitri, ku pas takimit me kryeminsitrin Rama do të ketë edhe një konferencë për shtyp. Më tej Fyle do të takohet me kryeparlamentarin Meta, Ministrin e Jashtëm Bushati dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha.