Opozita akuza qeverisë në tryezën me ekspertë: Stabiliteti i ekonomisë në rrezik

Opozita kritikon ashpër qeverinë për gjendjen në të cilën ndodhet ekonomia. Për të diskutuar në lidhje me këtë situatë Partia Demokratike ka  mbajtur një tryezë të rrumbullakët me temë "Ku po shkon ekonomia shqiptare? Vendimet e qeverisë dhe sfida përballë krizës globale".Kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha akuzoi qeverinë Rama për ndryshimin e buxhetit të cilin e përcaktoi si një faktor rreziku për stabilitetin ekonomik të vendit. Kreu i opozitës u shpreh se qeveria e re po tregon papërgjegjshmëri duke rritur borxhin publik.

"Do flas për buxhetin e 3-muajve të fundit të vitit 2013. Me një goditje dyfish arbitare, të pambështetur në gjendjen reale, mazhoranca vendosi papritur të ulë me 200 milionë dollarë planin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat në 3 muajt e fundit të vitit, të linte pa mbledhur 4 herë më shumë të ardhura se qeveria e mëparshme. Njëherazi me krijimin e kësaj grope të madhe qeveria vendosi të merrte me dorë të rëndë 400 milionë dollarë, dukshëm më shumë se mundësitë e krijuara nga menaxhimi prej nesh.

Qeveria ka ngritur zërin kundër marrjes borxh dhe i bie me top sapo instalohet në pushtet. Ky është problem i rëndë etiko-moral me zgjedhësit, që i ka gënjyer. Ulja e të ardhurave me 25% më pak se plani fillestar dhe mbushja e gropës me rritje të deficitit nga 3,4% në 5% dhe borxhit publik nga 62% në 69% bëhej me 3 objektiva bazë; krijimin e një rezerve të padukshmne për dështim me propabilitet 95%, siç tha një ekspert ndërkombëtar, i ftuar nga vetë PS; së dyti përkeqësimin artificial të gjendjes së financave publike me qëllim që çdo zhvillim normal të trumbetohet si sukses për të shitur si real një sukses artificial; së treti krijimin e një mekanizimi me mundësi të mëdha abuzimi me financat publike në favor të klientelës dhe nëpërmjet tij mbajta peng e biznesit dhe medias", u shpreh Basha.

 

“Një qeveri që ndryshe shkruan dhe ndryshe flet. Kreu i saj një herë tha se vendi rrezikon krizën greke dhe më pas tha se s’ka skenar grek për Shqipërinë. Kjo është pasojë e inkoherencës, klientelizimit që prodhon vetëm pikëpyetje, pasiguri dhe frikë duke u kthyer në një faktor rreziku për stabilitetin dhe ekonominë. Sot organizojmë konferencë përmbyllëse kundër aktit normativ të buxhetit. Do informojmë partnerët tanë lidhur me rrezikshmërinë e këtij planifikimi edhe për buxhetin e 2014-s. Do argumentojmë përtej çdo dyshimi se ulja e të ardhurave nuk kishte asnjë bazë në ekonominë reale. Ulja ishte shprehje e panikut, pse jo hilesë, por dhe pesimizmit dhe planifikimit të papërgjegjshëm qeveritar, faktor rreziku për të parashikuar krizën ekonomike.

Nëse qeveria do kishte mbajtur në nivelin e 8-mujorit tonë, të ardhurat do ishin më të larta se sa në kushtet e pesimizmit të një administrate nën stres dhe amatoreske. Ato të ardhura që janë mbledhur ishin për të mbushur shpenzimet e qeverisë dhe as për qytetarët dhe as për hallet e biznesit. Do argumentojmë se struktura e shpenzimeve përbën fillesë të një buxheti, që përdoret keq, më shumë për shërbime operative se sa për zhvillim.

Do bëjmë një analizë të lidhjeve të akteve të qeverisë me qeverinë. Se si faktorët joqeveritare mund të kontribuojnë në shmangien e krizës së ekonomisë. Do analizojmë mbrapshtësinë e prokurorimeve të paligjshme të auditimit nëpërmjet një kompanie konsulente dhe prokurorime të drejtpërdrejta si shprehje e arrogancës dhe instikteve kleptokratike të qeverisë. T’i bëjmë rezistencë këtij fenomeni, që është në fillimet e tij, që të shmangim një sëmundje kronike. Kemi thënë se do jemi opozitë e alternativës",  tha kreu i Partisë Demokratike.

Bode: Nuk duhet të vijojë ulja e rendimenit fiskal

Ish kreu i financave për 8 vite me radhë Ridvan Bode deklaroi se për katër muajt e fundit të vitit ka pasur një ulje të konsiderueshme të të ardhurave.
Bode, u ndal tek modeli ekonomik i ndjekur nga qeveria e mëparshme, dhe kryesisht tek modeli i taksave. Bode tha se qeveria e mëparshme u fokusua tek politika e taksave të ulëta, ndërsa premtimi i qeverisë Rama për ta zeruar taksën e biznesit të vogël sipas tij është abusive.“Jemi bazuar tek model i taksave të ulëta për të favorizuar biznesin dhe për të mënjanuar informalitetin dhe invazionin. Premtimi për të hequr taksën e biznesit të vogël është abuzive. Qeveria e PD përgjysmoi taksat. Qeveria e re nuk duhet të vijojë me uljen e rendimentit fiskal. Në 2005 pati rritje të të ardhurave doganore. Ndërsa tani vendi ynë, shfaq ritme të humbura për rritjen e të ardhurave. Në katër muajt e fundit janë ulur të ardhurat”, tha Bode.Tryeza e mbledhur nga opozita do të trajtojë sfidat e e ekonomisë, borxhin publik, që sipas Partisë Demokratike ka arritur nivele kritike, që kërcënojnë stabilitetin ekonomik të vendit.Në tryezë marrin pjesë disa prej figurave më të njohura të opozitës dhe njëkohësisht njohës të mirë të ekonomisë.