Bruksel, nis raundi i ri i bisedimeve Kosovë-Serbi

Në Bruksel ka nisur raundi i ri i bisedimeve mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.Ndërmjetësuesja e dialogut, Catherine Ashton,  është takuar fillimisht kryeministrin serb Daçiç dhe ekipin e tij, për të vazhduar pastaj me kryeministrin Thaçi dhe delegacionin kosovar.Takimi i përbashkët pritet të nisë në orët e para të pasdites, thuhet në një deklaratë të publikuar nga zyra e baroneshës Ashton.Më herët është thënë se në takim do të diskutohen hapat e ardhshëm në procesin zgjedhor në Kosovë, si dhe në zbatimin e Marrëveshjes së Prillit, për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.Në anë të një deklarate, zonja Ashton i vlerësoi zgjedhjet e së dielës në Kosovë për pushtetin vendor si thelbësore për të ardhmen e Kosovës, ndërsa dënoi ashpër incidentet e dhunshme në veriun e Mitrovicës.“Të gjithë votuesit kanë të drejtë pjesëmarrjeje në zgjedhje në një mjedis të sigurt dhe pa dhunë. Incidentet duhet të hetohen pa vonesë” thuhet në një deklaratë të zonjës Ashton.Mediat në Beograd kanë cituar kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, të ketë thënë se temë e bisedimeve do të jetë edhe “shpallja e pavlefshme e zgjedhjeve në veri të Kosovës, si dhe në të gjitha vendet, ku serbët e kanë pasur të pamundur të votojnë dhe kanë qenë të frikësuar”.Votimet në veriun e Mitrovicës  u dëmtuan nga incidentet e së dielës mbrëma, kur persona të maskuar ndërhynë dhe shkatërruan kutitë e votimit në disa vendvotime në veri të Mitrovicës, duke detyruar largimin e komisionit të zgjedhjeve dhe të përfaqësuesve të Misionit të OSBE-së.