Kosovë, komunat kryesore në balotazh
Të dielën qytetarët e Kosovës kanë dhënë votën e tyre për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, por jo gjithçka ka përfunduar më 3 nëntor. Komunat kryesore kanë shkuar në balotazh.Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Prishtinë shkojnë në balotazh LDK-ja dhe VV-ja, në Prizren PDK-ja dhe LDK-ja, në Gjilan LDK-ja dhe PDK-ja, në Mitrovicë PDK-ja dhe AKR-ja, në Gjakovë AKR-ja dhe AAK-ja, në Pejë LDK-ja dhe AAK-ja, në Ferizaj PDK-ja dhe LDK-ja, në Rahovec PDK-ja dhe AAK-ja, në Vushtrri PDK-ja dhe AAK-ja, në Junik AAK-ja dhe LDK-ja, në Lipjan PDK-ja dhe LDK-ja, në Viti LDK-ja dhe PDK-ja, në Klinë PDK-ja dhe LDK-ja, në Malishevë Iniciativa Qytetare për Malishevën dhe LDK-ja.Kurse në raundin e parë PDK-ja ka fituar pa balotazh komunën e Skenderajt, Drenasit, Shtimes, Kaçanikut,Fushë-Kosovë dhe Podujevë. AAK-ja ka fituar pa balotazh vetëm komunën e Deçanit. Rufki Suma, kandidat i pavarur, ka fituar përsëri pa balotazh në Han të Elezit. Edhe kandidati i partisë tutke KTPA, Arif Bytyçi, ka fituar pa balotazh në Mamushë. KQZ-ja ka paralajmëruar se sot (e hënë) do t’i publikojë rezultatet preliminare.Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka bërë me dije se në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit kanë marrë pjesë 45.79 e qytetarëve, pa përfshirë katër komunat e veriut të Mitrovicës. Daka ka vlerësuar se shteti i Kosovës më 3 nëntor ka përmbyllur një proces të vështirë. Ajo ka thënë se vërejtjet e raportuara nuk e dëmtojnë rregullsinë e përgjithshme të procesit zgjedhor të së dielës.Daka ka vlerësuar se më 3 nëntor KQZ-ja me sukses ka përmbushur detyrimet e saj ligjore e kushtetuese.