Kosovë, incidentet në zgjedhje
Proçesi i votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë është shoqëruar me tensione dhe incidente të rënda. Tensione të njëpasnjëshme dhe parregullsi në proçesin zgjedhor janë shënuar kryesisht në veri të Mitrovicës ku dhjetëra persona me maska kanë hyrë në qendrën e votimit Shën Sava dhe pasi kanë përzënë me dhunë votuesit, komisionerët, vëshguesit vendorë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE, kanë djegur fletët e votimit dhe duke lëshuar gaz lotsjellës në ambientet e brendshme të qendrës, incident që ka detyruar ndërprerjen e proçesin e votimit.Tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, përkatësisht shkolla teknike, ajo e mjekësisë, si dhe shkolla 'Sveti Sava' janë mbyllur nga ora 18:45. Mendohet se një pjesë e madhe e materialit të kutive të votimit është marrë nga maskat të cilët kanë djegur një pjesë të materialeve ndërsa pjesa tjetër është bërë e mundur të shpëtohet nga pjesëtarët e EULEX-it, të cilët mbërritën menjëherë në vendngjarje. Protagonistë të ngjarjes së ndodhur rreth orës 16:45 mendohet të jenë pjesëtarë të xhandamërisë serbe të cilët kishin për qëllim ndërprerjen e procesit të votimit duke parë se pjesëmarrja e serbëve në votime ishte tepër e ulët. Pas incidentit të rëndë, situata në veri është qetësuar, ndërsa helikopterë të EULEX-it kanë vëzhguar situatën nga ajri, ndërsa për rastin në fjalë nuk ka patur arrestime.Por gjendja në veriun e Mitrovicës, zonë me popullsi serbe, është paraqitur e tensionuar që në orët e para të hapjes së procesit zgjedhor me hapjen me vonesë të qendrave të votimit e incidente të tjera ku nuk kanë munguar të shtënat me armë në gjithë pjesën veriore të Mitrovicës me qëllim frikësimin e banorëve që të mos votojnë. Në zonë janë regjistruar shumë raste kërcënimesh e shantazhesh të serbëve ndaj qytetarëve serbë që të mos dalin në votime, duke i quajtur ata 'shqiptarë'.Në Gjakovë gjatë mbajtjes së votimeve janë shënuar incidente verbale mes votuesve ndërsa në Podujevë, në rrugën "Zahir Pajaziti" një zyrtar i një partie ka shtënë me kallashnikov, por nuk janë raportuar të lënduar.Procesi zgjedhor është njollosur edhe nga arrestime të kryera nga policia e kosovës për kërcënime apo presione ndaj qytetarëve që të mos dalin në zgjedhje, për fotografim vote apo votim familjar, ku janë shënuar mbi 100 raste të tilla. Prokuroria e shtetit gjatë ditës së sotme ka hapur 18 raste në të cilat janë përfshirë 31 persona, 28 prej të cilëve janë ndaluar ndërsa 3 të tjerë janë shoqëruar në rajonet policore. Arrestimet janë kryer në qytetet e Podujevës, Drenasit, Gracanicës, në Pejë, Gjakovë dhe ferizaj. Sulme dhe kërcënime ka patur edhe për gazetarë që po raportonin ngjarjet e fundit në vend. Mendohet se rreth 40 qytetarë serbë kanë sulmuar një ekip gazetarësh të cilët janë marrë menjëherë në mbrojtje nga forcat policore.