Palët shkrijnë “akullin” në këshillin bashkiak, Dalipi rikonfirmohet si kryetar
Këshilli Bashkiak i Tiranës me konsensus, ka arritur t’i japë fund ngërçit disa mujor. Me konsensus, anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë vendosur që kryetari i këshilltarëve të PS, t’i nënshtrohet votimit për rikonfirmimin si kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, pas dorëheqjes të ish-kryetarit Njazi Kosovrasti.
Pas diskutimeve që zgjatën disa minuta, Këshilltarët e majtë dhe të djathtë ranë dakord që në mbledhjen e sotme të miratohej një rend dite i shkurtuar, që kishte të bënte me konfirmimin e mandatit të zotit Gazmend Dibra si këshilltar i Bashkisë së Tiranës dhe konfirmimin e Aldrin Dalipit në postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak.
Pozicionimin në karrigen e kryetarit të Këshillit Bashkiak pas rikonfirmimit me 32 vota pro, Dalipi e shfrytëzoi fillimisht për një ndjesë ndaj banorëve të kryeqyetit për bllokimin e punës së këtij këshilli. Ai i garantoi anëtarët e Këshillit dhe qytetarët se primare në funksionimin e këtij këshilli do të jetë zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës.

“U kërkoj ndjesë qytetarëve të Tiranës, në emër të kujtdo që e mbajti peng këtë këshill. Kemi humbur shumë kohë. Dua të filloj menjëherë nga rendi i ditës, kam një propozim mbi tavolinë të ardhur nga kryetyari i Bashkisë për një shtetës fondi në buxhetin e njësisë bashkiake numer 11 për dhënien e një ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga përmbytja e datës 16.10.2013” tha Dalipi.