Bushati, Fabius: Franca mbështet integrimin, plotësoni prioritetet

Në kuadër të vizitës së tij në Francë, Ministri i Punëve të Jashtme , Ditmir Bushati, u prit në një takim nga Ministri i Jashtëm të Francës, Laurent Fabius.Marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Francës, perspektiva e integrimit të Shqipërisë në BE dhe marrja e statusit të vendit kandidat ishin çështjet kryesore që u diskutuan gjatë takimit.Bashkëbiseduesit konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes të dy vendeve, si dhe shprehën angazhimin e përbashkët për një zhvillim cilësor të mëtejshëm të tyre, në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike ku ekziston një potencial i lartë bashkëpunimi ende i pashfrytëzuar.Ministri Bushati prezantoi prioritetet e qeverisë në planin e brendshëm dhe në politikën e jashtme, ku sfida kryesore mbetet marrja e statusit të vendit kandidat .Ai siguroi për angazhimin dhe vullnetin e plotë të qeverisë për tu fokusuar në përmbushjen e reformave ku nevojitet progres i mëtejshëm kryesisht ne fushën e sundimit të së drejtës dhe forcimit të shtetit ligjor. Gjithashtu, Ministri Bushati vuri theksin në politikën konstruktive të Shqipërisë në rajon, të bazuar në konceptin e gjithë përfshirjes.Nga ana e tij, Ministri Fabius, vlerësoi progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit, duke u shprehur se e ardhmja e sigurt e vendit është BE-ja. Ai nënvizoi mbështetjen e Francës në këtë proces dhe theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së reformave veçanërisht për sa i përket shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.Në përputhje me objektivat e prezantuara nga Presidenti Hollande gjatë samitit të Berdos me vendet e Ballkanit Perëndimor, Ministri Bushati shprehu dëshirën për një prezencë më të gjerë të Francës në rajon veçanërisht në Shqipëri.Gjatë qëndrimit në Francë, Bushati zhvilloi një takim edhe me Kryetaren e Komisionit të Jashtëm të Asamblesë Kombëtare, Elisabeth Guigou.Gjatë takimit u diskutua mbi perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE, marrjen e statusit të vendit kandidat dhe mbështetjen e Francës në këtë drejtim. Ministri Bushati paraqiti prioritetet e politikës së jashtme të Shqipërisë. Gjithashtu u ndal në politikën rajonale, rolin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.Bashkëbiseduesit u ndalën dhe në rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe në intensifikimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ndërparlamentare.